E Shtunë, 31 Tetor 2026

Andi Nuraj: “Ja risitë e Ligës së Kampioneve në Tring”



Gazetari dhe moderatori i njohur Andi Nuraj drejtoi edhe në shoqërinë e analistit të njohur, Gëzim Sinemati e ish-trajnerit të Kombëtares shqiptare, Neptun Bajko, emisionin parahyrës të ndeshjes së Ligës së Kampioneve, Panathinaikos-Inter (direkt në Vizion Plus), duke marrë në analizë e dhënë konsiderata dhe për pesë sfidat e tjera të transmetuara në paketën “Tring Communications”, e dy takimet e tjera të ndeshjeve të ditës së parë të Ligës së Kampioneve. “Këtë edicion Liga e Kampioneve do të transmetohet ekskluzivisht nga Vizion Plus e ‘Albania Satelite Communications’, ASC, përmes paketës ‘Tring Communications”, që kanë blerë edhe të drejtën e transmetimit”, - tha gazetari Andi Nuraj për gazetën “Albania”, i cili komentoi edhe takimin midis Panathinaikos e Interit. “Do të ketë një risi në raport me transmetimet e dikurshme të platformës tjetër, që dështoi në blerjen e të drejtës televizive, pasi do të jenë gjashtë ndeshje të transmetuara direkt, një në Vizion Plus dhe pesë të tjera platformën më të re dixhitale ‘Tring Communications”, ku sportdashësit e shumtë patën mundësinë e do ta kenë atë përgjatë gjithë vitit të shijojnë të gjitha ndeshjet e Ligës së Kampioneve”, - thekson gazetari sportiv i Vizion Plusit.
Në ndryshim nga sezoni i kaluar, ku Vizion Plus transmetoi ndeshjet në fazën e grupeve e deri te finalja e Moskës, ajo midis Mançester Junaitid e Çelsit, takim i fituar nga “Djajtë e kuq” falë saktësisë në gjuajtjet e penalltive, tashmë televizioni prestigjioz shqiptar ka përgatitur një studio të veçantë enkas për ndeshjet e Ligës së Kampioneve. “Në ndryshim nga viti i kaluar do të ketë debat e analiza të shumta para dhe pas takimeve. Të ftuar janë dy nga njohësit më të mirë të futbollit, ish-trajneri i Kombëtares e Partizanit, e disa ekipeve të tjera, Neptun Bajko si dhe analisti i njohur e botuesi i ‘Sfidantit sportiv’, Gëzim Sinemati”, - thotë Nuraj, i cili tashmë me komentet e tij profesionale të ndeshjeve është shndërruar në një figurë të dashur për sportdashësit gjithmonë në rritje të Vizion Plusit. “Kemi një staf të ri të përkushtuar, me dëshirë e pasion, por dhe të aftë profesionalisht e njohës të mirë të futbollit”. Menjëherë pas përfundimit të ndeshjeve regjitë e Vizion Plusit dhe ‘Tring Communications’ transmetuan edhe “highlihts”-et e të tetë takimeve të para të grupeve A, B, C e D përfshirë golat, rastet më të bukura e renditjet e ekipeve. “E njëjta gjë do të jetë edhe sot me ndeshjet e katër grupeve të tjera, për t’u dhënë mundësinë shikuesve tanë për t’i parë të gjitha momentet emocionuese si çdo qytetar tjetër në Europë- shton Nuraj, i cili thekson se teleshikuesit do të kenë mundësinë të ndjekin ashtu si vitin e kaluar edhe revistën javorë të Ligës së Kampioneve, “UEFA CHAMPIOONS LEAGUE”, një emision i përgatitur nën kujdesin e qeverisë së futbollit evropian, UEFA. “Revista javore informon sportdashësit me takimet e zhvilluara dhe ngjarjet më të fundit nga kampet e 16 skuadrave në prag të sfidave të radhës”, - përfundon gazetari sportiv i Vizion Plusit, Andi Nuraj.

Direkt në “Tring Communications” e Vizion Plus

LIGA E KAMPIONEVE
Dita I
16.09.2008, 20:45

A Çelsi-Bordo Tring +1
A Roma-Kluj Tring +5
B Panathinaikos-Inter Vizion Plus
B Bremen-Anorthosis
C Bazel-Shakhtar
C Barcelona-Sporting Tring +2
D PSV-Atletiko Tring +3
D Marsejë-Liverpul Tring +4

17.09.2008, 20:45
E Man.United-Vilareal Tring +1
E Sëlltik-Alborg
F Steaua-Bajern Tring +2
F Lion-Fiorentina Tring +3
G Porto-Fenerbahçe
G Dinamo Kiev-Arsenal Tring +4
H Juventus-Zenit Vizion Plus
H Real Madrid-BATE Tring +5

KUPA UEFA

Platforma digjitale tokësore e satelitore “Tring Communications” dhe televizioni “Vizion Plus” kanë blerë edhe të drejtën e ndeshjeve të Kupës UEFA, kompeticionit të dytë më të rëndësishëm për klubet pas Ligës së Kampioneve.

SUPERKUPA E EUROPËS

Vizion Plus transmetoi ekskluzivisht edhe finalen e sezonit të Kupës UEFA, por dhe Superkupën e Europës, Mançester-Zenit St.Petërsburg, ku trofeun e lakmuar e pronësoi skuadra ruse e Zenitit.

KUPA E ANGLISË

Përveç këtyre grupi mediatik Vizion Plus e ASC ka blerë edhe të drejtën ekskluzive të Kupës së Anglisë, një prej kompeticioneve dhe më të vjetër në botë dhe më të ndjekur në Angli e jashtë ishullit britanik.

KOMBËTARJA ANGLEZE

‘Tring” e ‘Vizion Plus’ kanë blerë edhe ndeshjet ndërkombëtare në shtëpi të Kombëtares së Anglisë, që tashmë drejtohet nga italiani Fabio Kapelo e ka synim jo vetëm kualifikimin në Botërorin e vitit 2010 por dhe fitimin për herë të dytë të këtij kompeticioni.

SUPERLIGA SHQIPTARE

Grupi mediatik “Media Vizion” transmeton ekskluzivisht prej tre edicionesh ndeshjet e Partizanit në Superligën Shqiptare, një prej ekipeve më popullorë në Shqipëri, e që ka fituar 15 herë titullin kampion e 15 Kupa të Shqipërisë.

17 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›