Ish-drejtori i Policisë së Tiranës, Dervishi: “Trebicka është eliminuar”
Ish-drejtori i Policisë së Tiranës, Albert Dervishi, hedh dyshime të forta ndaj vdekjes së dëshmitarit kryesor të trafikut të armëve në Shqipëri, Kosta Trebicka. Dervishi, i cili ka qenë dje i pranishëm në tryezën e organizuar nga lëvizja “G99”, ku tema e këtij takimi ishte “Siguria e jetës në vend”, tha se e konsideronte vdekjen e Trebickës një eliminim të kryer nga dora e krimit të organizuar. Ai u shpreh se “vdekja e Trebickës është e lidhur me krimin e organizuar në Shqipëri”. Të njëjtin dyshim shprehën edhe ekspertët e Policisë, ku hodhën dyshime të forta se “aksidenti” Trebicka linte shumë hapësirë për të menduar për një asgjësim. Ish-drejtori i Policisë së Tiranës, tashmë pjesëtar i lëvizjes “G99”, Albert Dervishi bëri një analizë të situatës së rendit dhe sigurisë së jetës në vend, duke ekspozuar disa nga problemet më serioze që pengojnë dhe cenojnë punën e policisë si dhe disa ide që mund të sjellin një ristrukturim dhe përmirësim të eficencës së shërbimit të policisë ndaj qytetarit. Dervishi e cilësoi gjendjen e tanishme një situatë ku mbizotëron frika dhe pasiguria, ku forcat e policisë janë mbushur me militantë dhe janë hequr ekspertët dhe profesionistët e vërtetë. “G99-a konstaton se rendi dhe siguria e brendshme në Shqipëri ka pësuar tronditje të rënda nga ngjarje të padëgjuara ndonjëherë, ndërtimi dhe funksionimi i organizmave ndërministrorë për të luftuar krimin, kontrabandën, drogën, korrupsionin e trafiqet e ndryshme, rritja e efektivitetit të strukturave të policisë për të parandaluar e luftuar këto e mbrojtur rendin publik, nuk janë në parametrat e kërkuar, gjë që rikonfirmon edhe njëherë paaftësinë politike të kësaj qeverie për të ndërtuar strategji efikase”, - tha Dervishi. Besnik Shehu, një ish-funksionar i lartë i Ministrisë së Rendit, shpjegoi se siguria është pronë publike dhe si e tillë ajo i duhet rikthyer qytetarëve shqiptarë. Ish-funksionarët e lartë shprehën ankesën se nuk tregohet asnjë lloj respekti për punonjësit e policisë, statusi i të cilëve duhet rishikuar dhe bënë thirrje për kujdes në strategjitë që kopjohen pa kujdes nga praktikat ndërkombëtare dhe implementohen pa eficencë në vend. Ndërkohë, lideri i G99-s, Erion Veliaj, akuzoi kryeministrin Berisha se është kthyer në rrezik për jetën e njerëzve. “Është e trishtueshme të shohësh kryeministrin e këtij vendi teksa flet për asete kombëtare dhe nuk respekton asetin më të çmuar, që është jeta e qytetarëve shqiptarë”, - tha Veliaj.
17 Shtator 2008