Hasani dhe Lipavský: Bashkitë, themeli mbi të cilin ndërtohet integrimi në BE

TIRANË, 6 mars /ATSH/ Ministri i Evropës dhe Punëve të Jashtme, Igli Hasani dhe ministri i Punëve të Jashtme të Republikës Çeke, Jan Lipavský morën pjesë sot në Konferencën “SYNERGY 2025 – Sinergji midis Pushtetit Vendor për Integrimin Rajonal”.
Në fjalën e tij Hasani nënvizoi se, “integrimi në BE, në shumë drejtime është historia e patreguar e qeverisjes vendore”.
“Bashkitë shpesh bartin ngarkesat e rënda. Roli i tyre në këtë proces nuk është aspak i padukshëm. Bashkitë janë themeli mbi të cilin ndërtohet integrimi i suksesshëm, një pjesë kyçe e enigmës së madhe”, shtoi ai.
Ndërsa ministri Lipavský deklaroi se, “Tirana është kthyer në qendër të bashkëpunimit rajonal dhe evropian”.
Duke iu referuar konferencës, ai vlerësoi se, “kjo organizatë është një dëshmi e rëndësisë dhe sinergjisë së bashkëpunimit dhe integrimit”.
Ai theksoi se iniciativat si Fondi i Vishegradit dhe Fondi i Ballkanit Perëndimor janë vendimtare për të ardhmen tonë.
Para se t’u drejtohej kryetarëve të bashkive dhe pjesëmarrësve të tjerë të Konferencës SYNERGY, Fondi i Ballkanit Perëndimor i dhuroi ministrit Lipavský një medalje si një shenjë mirënjohjeje.
Për tri ditë me radhë, nga data 5-7 mars, Tirana shndërrohet në kryeqytet të bashkëpunimit rajonal midis komuniteteve dhe njësive të qeverisjes vendore në Ballkanin Perëndimor.
Me titull “SYNERGY 2025 – Sinergji midis Pushtetit Vendor për Integrimin Rajonal”, ky format sjell në Shqipëri ministrat e Pushtetit Lokal apo të Administratës Publike të Ballkanit Perëndimor, si dhe 60 kryebashkiakë apo përfaqësues nga bashkitë e rajonit dhe vendeve të Vishegradit (Poloni, Republika Çeke, Hungari, Sllovaki).
Përgjatë të tri ditëve, konferenca, e mbajtur në “Maritim Plaza Hotel”, do të adresojë sfidat e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, inovacionit, zhvillimit të qëndrueshëm, mjedisit, reformave integruese, etj.
Në të gjithë këtë format, një element thelbësor do të jetë nxitja e bashkëpunimit me shoqërinë civile dhe rijetësimi i bashkive në të gjithë rajonin.
SYNERGY 2025 është një aktivitet i organizuar nga Fondi i Ballkanit Perëndimor, në bashkëpunim me Ambasadën e Japonisë në Shqipëri, Fondin Ndërkombëtar të Vishegradit, Shkollën Rajonale të Administratës Publike (ReSPA) dhe Rrjetin e Shoqatave të Autoriteteve Vendore në Evropën Juglindore (NALAS).
1 nga 5/r.e/