Hasani në Vëllaznim

Vëllaznimi i Gjakovës të dielën ka arritur marrëveshje me ish-sulmuesin e FC Prishtinës, Ertan Hasan, i cili deri në fund të stinorit pranveror do të bartë fanellën kuqezi. Futbollisti shqiptar nga Maqedonia në stinorin vjeshtor ishte pjesë e FC Prishtinës, me të cilin klub u nda para disa ditëve.
“Kemi arritur marrëveshje me Ertan Hasanin. Ai do të jetë pjesë e Vëllaznimit të paktën për gjashtë muaj. Duke e pasur parasysh situatën në të cilën gjendemi, Hasan mendoj se do të jetë zgjedhje e duhur”, deklaroi trajneri i Vëllaznimit, Ajet Shosholli, për Express.
Shefi i shtabit teknik i Vëllaznimit pohoi se skuadra e tij ka nevojë të përforcohet të paktën edhe me dy futbollistë, përkatësisht edhe me një sulmues dhe një mbrojtës.
Ertan Hasan është përforcimi i katërt i Vëllaznimit në këtë afat kalimtar. Para tij, në klubin gjakovar kanë kaluar edhe Erdin Hashani nga KEK-u, Erdogan Brando nga Hysi dhe Labinot Efendia nga Besa.