I befasuar nga het-triku

Bum, Bum, Bunjaku. Albert! Albert! Albert! Këto ishin disa nga titujt e mediave gjermane, në përshkrimin e tyre për sulmuesin kosovar, Albert Bunjaku, i cili të shtunën shënoi tre gola për Nurnbergun, në fitoren 3:1 ndaj Hannoverit.
26-vjeçarit nuk i kishte ndodhur kurrë më parë të realizonte het-trick, aq më parë në Bundesligën gjermane, e cila është njëra ndër katër ligat më të forta në Evropë.
“Tre gola në një ndeshje nuk i kisha shënuar kurrë. Bile, as në skuadrën e të rinjve”, ka thënë gjilanasi, pas ndeshjes.
Bunjaku e ka shënuar golin e parë në minutën e 30, pasi mori një top nga bashkëlojtari Mintal. Gjilanasi i ka gëzuar 1500 tifozët që kishin shkuar në Hannover për ta përcjellë skuadrën e tyre të zemrës, për herë të dytë në minutën e 64-t, pasi u shërbye nga Diekmeieri.
Ndeshja u bë dramatike vetëm një minutë më vonë, kur Jiri Stajner e zvogëloi avantazhin e mysafirëve, 1:2. Pas katër minutash (69’), 26-vjeçari nga Kosova e ka konfirmuar ekstra klasin e tij, për ta vulosur fatin e kësaj ndeshjeje, 1:3.
“Ishte e rëndësishme që sot shënova sërish, për mua, e mbi të gjitha për skuadrën. Jam i lumtur që munda ta ndihmoja ekipin, kjo fitore na jep besim. Ishte një ndeshje mjaft e mirë për ne. Sot mund të festojmë, por duke nisur nga nesër, duhet t’i intensifikojmë përgatitjet për ndeshjen e ardhshme”, ka shtuar ish-futbollisti i FC Rot-Weiss Erfurt.
Pa dyshim, ky tregolësh mund t’ia rrisë gjasat kosovarit që ta fitojë një vend në Kombëtaren zvicerane për Botërorin Afrika e Jugut 2010. “Kjo është ëndrra ime më e madhe, por nuk është në duart e mia”, vazhdoi ai.
Ndërsa, trajneri Dieter Hecking, ka mbetur gojëhapur me spektaklin që e ka dhuruar Alber Bunjaku të shtunën, duke ia sjellë atij një trepikësh mjaft të rëndësishëm, në luftën për mbijetesë. “Tre gola të Bunjakut në një ndeshje – më pëlqeu ta shihja një gjë të tillë”, tha 45-vjeçari.
Ky tregolësh e ngre në 9, numrin e golave të shënuara këtë sezon nga gjilanasi me pasaportë zvicerane. Të shtunën e ardhshme, Nurnberg do të jetë mikpritës i VfB Stuttgart.