Berisha në Istanbul Buyuksehir

Futbollisti me prejardhje shqiptare, Ergyn Berisha, të dielën i është bashkuar klubit turk, Istanbul Buyuksehir. Lajmin e kanë bërë të ditur të dielën mediat turke, sipas të cilave, mesfushori i Udineses është huazuar për një vit e gjysmë tek klubi nga elita e futbollit turk.
Mesfushori me pasaportë zvicerane dhe turke, ishte transferuar tek klubi italian, Udinese, gjatë verës që shkoi. Ai ishte pjesë e të rinjve të ekipit nga Udine, ndërsa tek klubi nga Stambolli do ta ketë mundësinë që t’i shfaqë vlerat e tij në ekipin e të rriturve. 21 vjeçari, i lindur në Zurich të Zvicrës, ishte transferuar tek Udinese nga zviceranët e Grasshoppers, ku luajti në sezonet 2007-09.
Berisha, i cili mund të luajë edhe si mbrojtës, është përfaqësues U21 i Turqisë, me të cilën kishte dy paraqitje. Pas xhiros së 19-të në Superligën turke të futbollit, Istanbul Buyuksehir (me një lojë më pak) gjendet në pozitën e shtatë në tabelë, me 29 pikë të tubuara.