Sherri i lëndimeve

Lorik Cana insiston se problemet e natyrës së ndryshme që pati Sunderland, duke përfshirë këtu edhe lëndimet e shpeshta, bënë që ekipi anglez të mos e gjejë fitoren për një kohë të gjatë në Premierligë.
Mirëpo, 26-vjeçari thekson se “Macet e Zeza” kanë mundësi që në fund të përfundojnë në Top 10, nëse do t’i ketë dispozicion të gjithë futbollistët. Cana do ta udhëheqë Sunderlandin në betejën kundër Stoke City në Stadium of Light, të hënën, ku “Black Cats” e kërkojnë fitoren e parë, që nga nëntori i vitit të kaluar.
Pas një sezoni të shkëlqyeshëm, Sunderland pati një tatëpjetë të madhe në dy muajt e fundit, ndërsa Cana thotë se nuk bëhet fjalë për një krizë, por për shkak të ‘epidemisë’ së lëndimeve.
Edhe tash, Bruce ka probleme me formën fizike të disa futbollistëve të rëndësishëm si Lee Cattermole, Phil Bardsley, Michael Turner, Anton Ferdinand e Kieran Richardson. Dhe, Cana thekson se Sunderland, me 11-shen më të mirë ka kapacitet të përfundojë në Top 10.
“Ky ishte problemi në dy muajt e fundit – lëndimet që kishim. Për ekipin si ky yni, i cili po mundohet ta ndërtojë një skuadër të mirë për të ardhmen, t’i humbë tre, katër apo 10 futbollistë, është me të vërtetë e vështirë. Menaxheri është dashur të bëjë ndryshime të shpeshta në mesfushë, për shkak të lëndimeve. Është e vështirë për menaxherin dhe për lojtarët që ta mbanin nivelin e njëjtë, nëse ke kësi problemesh”, theksoi përfaqësuesi shqiptar për të përditshmen angleze, Sunday Sun.
“Edhe skuadrat e mëdha si Arsenal, Man U, Chelsea, goditen, kur humbin disa nga futbollistët më të mirë. Imagjinojeni se sa e vështirë është për një ekip kur t’i humbë disa lojtarë. Nëse i shikoni 11 futbollistët tanë të parë, mendoj se definitivisht jemi të fortë për të përfunduar në Top 10”, tha ai.
Fitorja e fundit në ligë e Sunderlandit në shtëpi daton nga 21 nëntori, kundër Arsenalit. Nga ajo periudhë, “Macet e Zeza” kanë rrëmbyer vetëm tri pikë nga 27 të mundshme, duke e lënë këtë ekip vetëm tri pikë mbi zonën e rrezikshme.
“Ne kishim një fillim të mbarë të sezonit, por unë gjithmonë e dija se nuk do të mund të vazhdonim me atë ritëm gjatë tërë vitit. Ndoshta, nuk e kam menduar se do të shkonte aq keq, por e dija se kohët e vështira do të vinin. Objektiv yni është që të përfundojmë në pjesën e epërme të tabelës dhe Top 10 nuk është shumë larg nesh. Por, e dimë gjithashtu se nuk jemi as larg ekipeve të rrezikuara për të rënë nga Premierliga. Kur t’i kemi në dispozicion lojtarët si Lee Cattermole e Michael Turner, jam i sigurt se do ta përfundojmë sezonin fuqishëm”, pohoi ish-futbollisti i Marseilles.
Cana beson se Sunderland do t’i rikthehet fitores, që nga e hëna. “Stoke City ka një ekip mjaft të mirë dhe të disiplinuar. Unë e kujtoj udhëtimin tonë te Stoke në fillim të sezonit, ishte mjaft vështirë për ne. Ata na mposhtën neve 1:1. Por, ne nuk duhet të brengosemi shumë për Stoken. Duhet të mendojmë për veten”, vazhdoi Cana.