Hasani në Wolfsburg

Reprezentuesi maqedonas që një kohë të gjatë ishte në kontakte me drejtuesit e këtij klubi. Por, më në fund ka arritur marrëveshje me drejtuesit e Wolfsburgut, që në tri vitet e ardhshme ta bartë fanellën e kampionit gjerman të vitit 2009.
“Po, mund të konfirmoj se përfundimisht kam arritur marrëveshje trevjeçare me drejtuesit e Wolfsburgut dhe kjo do të jetë skuadra ime e radhës. Jam i lumtur që gjithë kjo telenovelë përfundon me sukses dhe unë do të kem rastin të jem pjesë e një kampionati të fortë si që është Bundesliga”, ka konfirmuar Hasani televizionin Alsat-M.
Ai është i kënaqur me kushtet që i janë ofruar nga klubi gjerman, por nuk i ka bërë publike detajisht ato.
“Për mua parësore është që më jepet mundësia të luaj në një skuadër me renome, si që është Wolfsburgu. Normal që edhe nga ana financiare jam i kënaqur dhe shpresoj që gjërat të ecin mirë këtu”, ka theksuar Hasani i cili konsiderohej si njëri prej lojtarëve kyç të kampionit aktual të Maqedonisë.
Ai ka bërë të ditur se përgatitjeve për stinorin pranveror të Wolfsburgut do t’u bashkohet më 2 janar.
“Pres të rikthehem në vendlindje këto ditë, para se t’i bashkohem Wolfsburgut menjëherë pas Vitit të Ri. Shpresoj që të përgatitem mirë dhe të më jepet rasti të luaj, ndërsa besoj se mund t’i përgjigjem pozitivisht kësaj sfide të madhe që kam para vetes”, ka shtuar ai.
Hasani bëhet futbollisti i gjashtë shqiptar që bëhet pjesë e klubeve nga Bundesliga, pas Edmond Kapllanit (Ausburg), Albert Bunjakut (Nurnberg), Beg Feratit (Freiburg), Odise Roshit (Koln) e Fanol Perdedaj (Hertha).