E Diel, 1 Nëntor 2026

Pele, i gatshëm t’i ndihmojë shqiptarët

Legjenda e futbollit botëror, Pele ka pohuar se ka njohuri për futbollin shqiptar. Braziliani ka thënë se Shqipëria e Kosova kanë shumë lojtarë të rinj, të cilët mund të shkëlqejnë nëpër klube të huaja, por paraprakisht atyre duhet t’u ofrohen kushte për t’u zhvilluar më shumë. Ai e ka shprehur gatishmërinë që t’i ndihmojë shqiptarët në këtë drejtim.

Legjenda e futbollit botëror, Pele në kohën kur po shkëmben kritika me ish yllin argjentinas Diego Maradona, ka gjetur kohë të flas për futbollin mbarëshqiptar.

Ish futbollisti i famshëm brazilian ka pohuar se Shqipëria e Kosova kanë shumë futbollistë me talent, të cilët mund të shkëlqejnë nëpër klube të huaja. Por, ai ka theksuar se atyre talentëve duhet t’u ofrohen kushte për t’u zhvilluar.

“Shqiptarët, të rinjtë, janë futbollistë të mirë, të cilët këtë e kanë dëshmuar, por edhe po e dëshmojnë sot në shumë ekipe botërore, jo vetëm në Zvicër, por edhe më gjerë. Nuk mjafton vetëm talenti dhe forca, por edhe mbështetja financiare për të pasur një futboll apo sport të mirëfilltë në një vend. Shtetin nuk e bën të njohur vetëm demokracia apo zhvillimi ekonomik, por edhe sporti. Prandaj pa demokraci dhe ekonomi të mirëfilltë nuk do të kishim as sport të mirëfilltë”, ka deklaruar Pele për agjencinë e lajmeve ‘Presheva Jonë’.

“Shqipërisë besoj se sot nuk i mungojnë këto kapacitete, sidomos rinia me plotë energji dhe talent. E tërë kjo nuk mjafton, por kjo armatë e të rinjve duhet të stimulohet dhe inkurajohet, për çka nevojitet padyshim më shumë vullnet dhe aksione nga ana e shtetit për të ndihmuar të rinjtë për të pasur një futboll apo sport më të avancuar”, citohet të ketë thënë Pele gjatë qëndrimit të tij në Zvicër, pas inaugurimit të një projekti ndërkombëtar të quajtur ‘Project Compus Pelé’

Madje, ish ylli i futbollit botëror ka shprehur gatishmërinë e tij që ta ndihmojë Shqipërinë në përpjekjet e saj për ta përparuar futbollin e saj. “Unë jam i gatshëm të ndihmoj futbollin shqiptar, nëse një gjë e tillë më kërkohet. Stafi im madje është i gatshëm të kontribuojë edhe me ndihmesa tjera të kuadrove me trajnerë apo këshilltarë të futbollit nga Brazili, që edhe Shqipëria të ketë nesër futbollistë dhe ekipe më të mira dhe të përsosura”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër, Pele ka thënë se nga mediat e ndryshme botërore ka fituar njohuri edhe rreth së kaluarës së Kosovës, e po ashtu edhe gjendjes aktuale në të cilën gjendet shteti më i ri në Evropë.

“Jam i lumtur që edhe në këtë vend, në këtë pjesë të Evropës, sot populli i Kosovës po jeton i lirë dhe i qetë, pa vuajtje, në një vend të qetë dhe demokraci, në një vend të lirë, si gjithë qytetarët e tjerë evropianë”, ka përfunduar braziliani.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›