E Shtunë, 31 Tetor 2026

‘Tifozat Kuq e Zi’ duan stadiumin e ri

Qysh para tre muajve ishte paraparë nisja e punimeve rreth rindërtimit të stadiumit kombëtar ‘Qemal Stafa’ në Tiranë. Kjo ka irrituar tifozët e Kombëtares së Shqipërisë, ‘Tifozat Kuq e Zi’.

Këta të fundit, nëpërmjet një komunikate, kanë reaguar ashpër, që siç thonë ata, mbi politizimin dhe neglizhencën e Qeverisë së Shqipërisë dhe organizmave kompetentë rreth kësaj çështjeje.

“As edhe njëherë këta aktorë nuk u bënë transparentë me shqiptarët dhe të japin arsyet e mosnisjes së punimeve deri sot. Ndërtimi i stadiumit të ri, i cili kemi përshtypjen se qëllimisht po zvarritet dhe skajshmërisht po politizohet, përveçse shkon në dëm të Kombëtares, prish edhe imazhin e vendit dhe sportit në përgjithësi, dhe janë Tifozat Kuq e Zi ndër ato palë që e vuajnë më së shumti mungesën e një stadiumi, duke pritur me orë të tëra pranë hyrjeve të stadiumit që kundërmojnë”, thuhet në reagimin e ‘Tifozëve Kuq e Zi’.

Sipas tyre, Shqipëria mbetet vendi i vetëm në Evropë që ende nuk e ka një objekt të mirëfilltë sportiv. “Me anë të këtij reagimi i bëjmë thirrje Qeverisë shqiptare dhe palëve të tjera të përfshira në këtë projekt që urgjentisht të fillojnë punën për ndërtimin e impiantit aq të dëshiruar për të gjithë shqiptarët”, thuhet në fund të reagimit të tyre.

‘Tifozat Kuq e Zi’ së fundit kishin bojkotuar ndeshjen Shqipëri – Azerbajxhani, pasi nuk ishin të kënaqur me punën e Federatës Shqiptare të Futbollit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›