Avokatët e Tiranës, zgjedhjet kthehen në debate dhe akuza
TIRANE - Zgjedhja e kreut të Avokatisë së Tiranës është kthyer në debat të ashpër mes 162 mbrojtësve kryeqytetas të mbledhur në sallën kryesore të Akademisë së Arteve. Avokatët kryeqytetas sulmuan Dhomën Kombëtare të Avokatisë si dhe atë të kryeqytetit për mospërfaqësimin e tyre në përballje me institucione të tjera. Avokatët pohuan se ndodheshin të diskriminuar në Gjykatë, Polici, Prokurori dhe në të gjithë institucionet e tjera shtetërore, ndërsa krerët e tyre nuk kishin marrë masa për t’i mbrojtur. Avokati Shaqir Hasani pohoi se vetë avokatët diskriminohen nëpër institucione të ndryshme kur kërkojnë informacione, apo prova që iu duhen për të mbrojtur interesat e klientëve të tyre. Sipas tij, shumë institucione kanë vendosur që avokatët t’i presin pas orës 13:00, veprim ky diskriminues. Duke vazhduar avokati Hasani pohoi se prokurorët, avokatët e shtetit apo juristët e institucioneve e kanë të lehtë të marrin çfarëdolloj prove për ta paraqitur në procese gjyqësore, ndërsa mbrojtësit e licencuar për të ushtruar profesionin e lirë diskriminohen. Për këtë avokati Hasani akuzoi Dhomën Kombëtare të Avokatisë dhe atë të kryeqytetit, të cilat tha se nuk kishin marrë asnjë veprim pas ankesave të shumta të avokatëve. Akuza të njëjta ndaj institucionit qendror të avokatisë dhe asaj të Tiranës, hodhi edhe mbrojtësi Ylli Kameri, i cili është anëtar i shoqatës Lëvizja e Avokatëve për Reformën në Drejtësi. Avokatët akuzuan se DHKA mblidhte me përpikmëri tarifat që paguajnë avokatët dhe nuk kishte zhvilluar asnjë aktivitet për të përmirësuar gjendjen e institucionit të mbrojtjes. Pas kësaj reaguan përfaqësuesit e DHKA-së dhe ata të kryeqytetit, të cilët thanë se këto institucione kishin punuar siç duhet dhe kishin mbrojtur anëtarët. Pas kësaj 162 avokatët e pranishëm morën pjesë në votimin për të zgjedhur krerët e Avokatisë së Tiranës. E veçanta e këtij procesi ishte se mund të kandidonte cilido avokat dhe do të fitonte ai që arrinte të mblidhte më shumë vota. Në fletën e votimit ndodheshin 162 dhe votuesit mund të përcaktonin veç kreut edhe disa prej tyre si anëtarë të bordit drejtues. Pas votimit kutia u vulos dhe u vendos të hapej të hënën, pasi dje nuk mjaftonte koha për numërimin e votave. fa.ma.