Si luajtën me mua
-Riktheheni sërish në skenën shqiptare, por kësaj here në një koncert “ndryshe”, duke qenë se nuk bëhet fjalë për një koncert të mirëfilltë klasik. Me çfarë syri e shihni ftesën që ju është bërë dhe çfarë do të përmbajë repertori juaj?
“Vërtet është një koncert në kuadrin e forumit ekonomik, që nuk mund të kategorizohet i mirëfilltë klasik, por gjithsesi është një koncert dhe kur bëhet fjalë për t’u kthyer në vendin tim, pranoj me kënaqësi, pavarësisht motivit për të cilin bëhet koncerti. Repertori është përshtatur për publikun, që në këtë rast dominohet nga prezenca biznesmenëve grekë, kështu që tri pjesë u përkasin kompozitorëve grekë. Përveç këtyre do të interpretoj edhe “Tango” nga një kompozitor shumë i njohur gjerman, Kurt Veil, por edhe një pjesë ruse që anon nga xhazi, si dhe në fund kam zgjedhur një autor spanjoll, Manuel Defaglia”.
-Çfarë mund të na thoni lidhur me koncertet tuaja me Orkestrën e Dhomës së Athinës? A jeni i kënaqur që bëni pjesë në një orkestër të tillë?
“Tashmë u bënë shumë vite që bëj pjesë në këtë orkestër si solisti kryesor dhe mund të them që jam shumë i kënaqur, aq më tepër që në Greqi, sidomos vitet e fundit, vlerësohet kjo lloj muzike dhe rrjedhimisht artistët”.
-Sapo përmendët që artistët në Greqi vlerësohen. Duke qenë shqiptar, a keni ndjerë ndonjëherë doza racizmi gjatë gjithë këtyre viteve?
“Asnjëherë, pasi unë bashkëpunoj me “Greqinë e mirë”, domethënë me pjesën elitare që sheh përtej origjinës. Në qoftë se punon dhe ke talent, aty vlerësohesh si të tjerët. Aq më tepër në vitet kur u vendosa në Greqi, gjendja ishte e mjerueshme dhe ata përpiqeshin me çdo kusht të kishin në krah të tyre talente nga e gjithë bota. Edhe pse duket absurde, racizmin e kam ndjerë në Paris, që mendohet si djepi i kulturës dhe i emancipimit, kohë më parë”.
-Angazhimet tuaja në orkestrën e Dhomës së Athinës ju kanë penguar që të vijoni me koncertet tuaja solo?
“Jo, pasi me orkestrën kam një normë të reduktuar, që vendoset që në fillim të sezonit të koncerteve, kështu që ende jap koncerte në vende të ndryshme. Pas dy ditësh nisem në një koncert në Finlandë, që do të ndiqet nga një turne në Spanjë”.
-Po për publikun tuaj, kur keni ndërmend të interpretoni në një koncert solo?
“Fillimisht dua të rrëfej një episod që më ndodhi me institucionet e kulturës këtu. Mora një email, që më ftonte të merrja pjesë në disa koncerte në Shqipëri, për të sjellë artistët ekselentë, një nismë e kryeministrit të vendit, Zotit Berisha. Pasi më erdhën datat dhe vendi ku do të interpretoja, në axhendën time këto data ishin të shenjta, jo për faktin e rëndësisë se këto koncerte nuk ishin më të rëndësishmit e jetës sime, por sepse më vlerësonin në vendi tim. Por mbasi çdo gjë u anulua, asnjë nuk u kujtua të më bënte me dije, edhe pas tentativës sime për të marrë një përgjigje të dytë, që sigurisht nuk erdhi kurrë. Jam ndjerë shumë i fyer dhe ende nuk e kam harruar këtë histori, madje kam ndërmend të kërkoj një takim me kryeministrin e vendit, meqë ishte iniciativa e tij. Ndërkohë, unë do të kthehem pavarësisht këtij episodi të pakëndshëm. Projektet më të afërta të mia këtu janë në pranverë, ku do të shoqërohem edhe nga pianistë dhe sigurisht një dirigjent i huaj”.
-Theksuat dirigjent i huaj dhe jo shqiptar. Përse një zgjedhje e tillë?
“Sepse dirigjentët shqiptarë janë të një niveli shumë të ulët sesa instrumentistët, kështu që më mirë është të marr masa paraprake”.
-Nga vëzhgimet tuaja mendoni se ka talente të reja në Shqipëri dhe në qoftë se po, si e gjykoni nivelin e tyre artistik?
“Mendoj se ka talente dhe niveli është i mirë, por pamundësia e kushteve bën të lindin probleme. Gjithsesi, më parë zhvillimi i muzikës ka pasur rënie të mëdha, që kohët e fundit janë rikuperuar. Pastaj hapat hidhen një nga një. Po ju sjell shembullin e Greqisë, e cila në vitet ‘90 ishte në krizë, ndërsa sot, falë investimeve, ka bërë hapa të mëdha”.
Violonçelisti virtuoz
Renato Ripo filloi të luajë violonçel prej moshës 6-vjeçare. Vazhdoi studimet në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë dhe në moshën 14-vjeçare interpretoi koncertin për violonçel, nr. 1 të Saint Sans. Pas diplomimit në Paris u kthye në Tiranë dhe filloi punë si profesor i violonçelit në Akademinë e Arteve. Më 1990 u largua nga Shqipëria në Greqi, pasi fitoi çmimin e parë në një konkurs ndërkombëtar atje. Për shumë vite ishte pjesëtar i “Camerata-Orchestra of the Friends of Music”, si violonçelist kryesor. Ka interpretuar në shumë skena të botës, si në Francë, Gjermani, Austri etj. Prej vitit 1991 është solist i Orkestrës së Dhomës në Pallatin e Muzikës në Athinë, ndërkohë që zhvillon koncerte në skena të ndryshme të botës. Më tetor 2005, pas 15 vitesh u kthye në Shqipëri me një koncert recital, shoqëruar nga pianisti grek, Aris Garufalis, në skenën e Akademisë së Arteve.