Lunaçek: Liberalizimi mund të kërkojë tre vjet
Vizat për në BE
Mosnjohja e Kosovës nga të gjithë vendet anëtare të BE-së pengon nisjen e shpejtë të procesit të liberalizimit të vizave
Raportuesja e Parlamentit Europian për Kosovën, Ulrike Lunaçek, ka premtuar se do të angazhohet që sa më shpejt edhe Kosova të bëhet pjesë e Listës së Bardhë të “Shengenit”. Por ajo paralajmëron se ky proces mund të zgjasë dy-tre vjet. “Për fat të keq, akoma nuk janë pjekur kushtet që qytetarët e Kosovës të kenë mundësi lëvizjeje të lirë pa viza nëpër vendet e Bashkimit Europian. Por hapi i parë është bërë. është me shumë rëndësi që tani, në vitin 2010, të fillojë puna për përmbushjen e kushteve që kërkon udhërrëfyesi i BE-së për Kosovën. Personalisht, ju premtoj se do të angazhohem që vizat për qytetarët e Kosovës të hiqen sa më shpjet që është e mundur, megjithatë druaj se kjo do të marrë një, dy apo më së largu tre vjet, derisa të bëhet kjo”, ka thënë Lunaçek, në një intervistë për radio “Kosovën”. Por ajo theksoi se për fat të mirë, në Parlamentin Europian, ia kanë dalë që në rezolutën e BE-së, e cila është përkrahur edhe nga Këshilli Europian dhe Komisioni të futet vendimi për heqjen e vizave në vitin 2010 për Shqipërinë dhe Bosnjën. Sipas Lunaçek, ajo që është me shumë rëndësi, është fakti që në rezolutë përmendet edhe Kosova, dhe kjo është përkrahur në konkluzionet e Këshillit të Europës, me të cilat i rekomandohet Komisionit Europian hapja e dialogut për liberalizmin e vizave me shtetin më të ri të Europës. Sipas Lunaçek, një nga pengesat kryesore që vonon procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, është mungesa e një qëndrimi unik nga vendet e Bashkimit Europian sa i përket shtetit kosovar. “E vërteta është se pavarësinë e Kosovës nuk e kanë njohur të gjithë shtetet anëtare të Bashkimit Europian. Unë, personalisht, do të angazhohem që heqja e vizave të ndodhë edhe për Kosovën, por siç e thashë, janë në pyetje një mori faktorësh politikë. Personalisht e konsideroj tejet të rëndësishme të theksoj faktin se ne në Parlamentin Europian ia kemi dalë që bashkë me Komisionin Europian, të bëjmë një hap të madh në këtë drejtim, e që është fillimi i dialogut për liberalizimin e vizave me Kosovën”, ka thënë raportuesja e Parlamentit Europian për Kosovën, Lunaçek, në këtë intervistë.
Gjenocid
Serbia padit Kroacinë në GJND
Pas Kosovës, Serbia ka vendosur të çojë në Hagë Kroacinë. Por kësaj here nuk bëhet fjalë për të vënë në dyshim ligjshmërinë e një vendimi, siç ishte rasti i pavarësisë së Kosovës. Kësaj here Beogradi ka paditur Zagrebin për gjenocid. Serbia, e cila në vitet ‘90-të ka zhvilluar 4 luftëra aneksuese, sot në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë dorëzon padinë kundër Kroacisë për gjenocid ndaj serbëve nga viti 1991 deri në vitin 1995. Radio-Televizioni Serb (RTS) njoftoi se padia u dorëzua nga përfaqësuesit e autorizuar juridikë, pasi Serbia e akuzon Kroacinë për gjenocid të kryer para 10 vitesh. Paraprakisht, presidenti serb, Tadiç, pohoi se ekziston mundësia për një zgjidhje jashtëgjyqësore, ndërkohë që presidenti kroat, Mesiç, u shpreh se pala serbe nuk ka gjasa për konfirmimin e padisë. Profesori i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Beogradit, Radoslav Stojanoviç, nuk duket fort i entuziazmuar me këtë lëvizje. Për më tepër, ai mendon se debati para Gjykatës Ndërkombëtare lidhur me kundërpadinë e Serbisë do të mund të fillojë pas dy vitesh, megjithëse të dyja palët mund të merren vesh jashtë kësaj gjykate, madje edhe para se ajo të fillojë. Ndërkaq, lideri i LDP-së, Cedomir Jovanoviç, mendon se kundërpadia ndaj Kroacisë paraqet rastin e fundit të drejtimit dhe ecjes së gabuar të politikës së Jashtme. Sipas tij, qeveria serbe duhet të kuptojë se kandidatura për anëtarësim në BE e obligon Serbinë që të fillojë të sillet si shtet europian, prioritet i të cilit është europianizimi dhe krijimi i marrëdhënieve më të mira të mundshme me fqinjët. “Fatkeqësisht, kjo padi e kthen Serbinë dhe shoqërinë tonë në atmosferën dhe në lëvizjet politike që ishin karakteristike pikërisht për ato kohëra. Fati i serbëve të Kroacisë, që e pësuan shumë keq për shkak të politikës që dirigjohej nga Beogradi, tani duket e do të shërbejnë si mjet për fillimin e procesit, i cili është i panevojshëm dhe i destinuar të dështojë”, theksoi Jovanoviç. Kryeministrja e Kroacisë, Jadranka Kosor, ka deklaruar se Kroacia është plotësisht e gatshme për t’u përballur me këtë proces. “Kemi përgatitur të gjithë faktet që dëshmojnë se kishim të bënim me agresion të përgjakshëm serbomadh nën drejtimin e Slobodan Millosheviçit”, ka deklaruar Kosor.
Emërimi i gjykatësve në veri
Reagon Prishtina: Ndërhyrje e rëndë e Beogradit
Ministria e Drejtësisë e konsideron si të jashtëligjshëm emërimin e gjykatësve dhe prokurorëve serbë në Gjykatën në veri të Mitrovicës nga Këshilli i Lartë Gjyqësor në Beograd. Ministrja Nekibe Kelmendi e cilësoi vendimin e Serbisë si ndërhyrje të rëndë në punët e brendshme të Kosovës. Në një prononcim për BBC-në, ajo tha se kundër këtij vendimi do të duhej të reagonte edhe bashkësia ndërkombëtare. Ministrja Kelmendi ka theksuar se gjykatat paralele në veri të Mitrovicës nuk mund të funksionalizohen me vendimet e autoriteteve në Beograd. “Ato gjykata janë gjykata ilegale, ato nuk ka gjasa që të funksionalizohen në Kosovë. çdo vendim që merret nga ato gjykata nuk mund të zbatohet në Kosovë, kurse në Serbi nuk mund të zbatohet gjithsesi, për shkak se, nëse është për shembull çështja pronësore, prona nuk mund të bartet në Serbi dhe të ekzekutohet vendimi atje”. “Ne e kemi të ndërtuar sistemin gjyqësor dhe ai sistem, të cilin mëton ta ndërtojë Serbia është ilegal. Ajo ka provuar të bëjë diçka me një ligj dhe tani me gjyqtarë e prokurorë. Unë dua të besoj se kjo është vetëm një lojë e Serbisë, sepse e ka të qartë se do të jetë negative për të nisma që e ka filluar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për statusin e Kosovës. Serbisë i duhet të merret me diçka, në mënyrë që ta konsumojë për politikat e veta të brendshme, ta mbajë popullatën gjithmonë në terr, të mos dijë popullata e çka ndodhë në Kosovë”, ka shtuar ajo. Qëndrimi i autoriteteve në Prishtinë pasoi një vendim të Këshillit të Lartë Gjyqësor të Serbisë në ditën e fundit të vitit të kaluar për betimin e gjykatësve dhe prokurorëve serbë për Gjykatën në veri të Mitrovicës, e cila do të ketë degët e saj edhe në enklavat e tjera serbe.