E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haxha i hap letrat

Kryeshefi i PTK-së i ka deponuar në EULEX gjashtë dosje të PTK-së, ku ai dyshon se zyrtarët e menaxhmentit të kaluar janë të përfshirë në keqpërdorime. Në mesin e tyre është projekti i Dardanetit – projekti i internetit të kësaj kompanie publike – ku ishin investuar mbi 10 milionë euro, por PTK asnjëherë s’ka arritur të jetë e denjë në tregun e internetit.

Në dosjen e dorëzuar në EULEX nga Haxha bëhet përgjegjës shefi i Dardanetit, Agron Rrustemaj.

Sipas kësaj lënde, në vitin 2005 kishte filluar projekti Dardanet “Back Bone Extension” për zgjerimin e rrjetit të internetit në 57 lokacione në Kosovë. Për shkak të mospërgatitjes së infrastrukturës për zgjerimin e rrjetit, e cila ishte përgjegjësi e drejtorit të Dardanet`it, kishin dështuar 16 lokacione.

Për këtë projekt në vitin 2005 ishin investuar 4.4 milionë euro, ku kjo shumë është paraparë të kthehej në afatin kohor prej 18 muajsh, gjë që nuk ka ndodhur kurrë. Gjithashtu në tremujorin e parë të vitit 2006 ishin investuar edhe 6.2 milionë euro, mjete të cilat janë shfrytëzuar për blerjen e pajisjeve nga kompania Intracom.

“Po të ishin bërë të gjitha këto investime dhe mos të kishte pasur stagnime dhe neglizhencë nga ana e menaxhmentit të atëhershëm, PTK do të ishte lider me lidhjet e internetit në treg”, thuhet në dosjen që tashmë po e heton EULEX.

Në shpjegimet që kreu i PTK-së Shyqyri Haxha i ka dhënë hetuesve të EULEX-it përmes kësaj dosje, ka thënë se po të realizohej ky projekt numri i konsumatorëve për pesë vitet e ardhshme do të trefishohej.

Si pasojë e dështimit të këtij projekti, Posta dhe Telekomi i Kosovës nuk ka arritur të shtojë numrin e klientëve, kështu që nuk kanë arritur të realizojnë të hyrat e parapara prej këtij projekti.

“Humbjet e realizimit të të hyrave janë të larta. Është paraparë që në vit të realizoheshin diku 4.9 milionë euro të hyra, ndërsa ne tani realizojmë diku rreth 1.8 milionë euro nga shërbimi i internetit”, thuhet në këtë dosje.

Përveç kësaj, menaxhmenti i tanishëm i kësaj ndërmarrjeje vlerëson se është dëmtuar imazhi i PTK-së, i cili do të reflektojë në momentin e shitjes, i paraparë të ndodhë në fund të vitit.

Haxha e ka njoftuar EULEX-in se një pjesë e pajisjeve të blera për zbatimin e këtij projekti ende gjinden të deponuara në depot e PTK-së, pasi që nuk janë vendosur në lokacionet e caktuara.

Ai shpjegon në këtë lëndë se më datën 13 mars 2007 është mbajtur një takim i nivelit menaxhues ndërmjet përfaqësuesve të PTK-së dhe përfaqësuesve të kompanisë Intracom për vazhdimin e projektit ISP-BBE.

“Në atë mbledhje u vendos që të bëhet vizitë nëpër të gjitha pikat ku janë dërguar dhe në ato ku nuk janë dërguar pajisjet që të merret gjendja faktike në terren, çka do të thotë se projekti 2 vite më vonë ende nuk ka qenë i përfunduar si shkak i neglizhencës së menaxhmentit të atëhershëm”, thuhet në këtë dosje.

Në anën tjetër, zyrtarët e PTK-së nuk komentojnë për rastin konkret, por thonë se kanë përgatitur dosje për disa raste të veçanta për projektet të cilat e kanë dëmtuar këtë ndërmarrje.

“PTK-ja ka punuar në disa raste dhe ka përgatitur raporte për organet kompetente rreth projekteve në të cilat është dëmtuar financiarisht”, pohon Menduh Abazi, zëdhënës i PTK-së.

Ndërkohë zyrtarë të EULEX nuk kanë qenë në gjendje që të shtunën të përgjigjen në lidhje me këtë rast, pavarësisht se gazeta ka nisur pyetje në adresë të zyrtarëve për media.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›