E Diel, 1 Nëntor 2026

Haxhi: Fenomeni “Harasani” mbyti Shkodrën

09/12/2004  INTERVISTE/ “Me 16 milionë lekë pastrohen vetëm 4 nga 6 kolektorët e qytetit”

Kryebashkiaku shkodran shpërfill ndihmën e qeverisë për përmbytjen

SHKODER - Bashkia e Shkodrës e ka quajtur të papërfillshme ndihmën e Qeverisë me 16 milionë lekë për pastrimin e kolektorëve. Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, sapo është kthyer nga Austria, ka reaguar në lidhje me përmbytjen e Shkodrës.

Qeveria ka akorduar një fond rreth 16 milionë lekë. Madje, kjo shumë është kërkuar nga bashkia. Mjaftojnë këto për të dalë nga situata gjendja e kolektorëve?

Fondet e dhëna janë vetëm sa për të pastruar 4 nga 6 kolektorët që ka qyteti. Pra, janë vetëm për situatën emergjente. Ky pastrim duhet kryer urgjentisht, pasi në rast përsëritjeje të situatës, me këtë gjendje që janë kolektorët mund të ndodhë katastrofë. Por, për kanalizimet e qytetit që ndodhen në gjendje katastrofike duhen milona euro dhe vetëm atëherë mund të thuhet se qeveria ka dhënë fonde për kanalizimet e qytetit. Ka 14–16 vite që në kanalizime nuk është bërë asnjë investim, pasi fondet kanë munguar dhe këto fonde mund të jepen vetëm nga buxheti i shtetit. Janë gati 20 projekte për kanalizimet që presin financimet.

Sa dëme kanë krijuar përmbytjet e fundit në qytetin e Shkodrës?

Në Shkodër janë shkaktuar miliona euro dëme. Grupet e punës janë në terren për të verifikuar në shifra të sakta dëmet. Por nga vëzhgimet e grupeve të punës, deri në këtë kohë mendojmë se dëmet kapin shifrën e miliona eurove. Janë me qindra shtëpi dhe dhjetëra makina e dyqane, që kanë pësuar dëme tepër të mëdha. Ka qenë një përmbytje e përmasave alarmante.

Do të prishen ndërtimet pa leje që janë bërë mbi kolektorët?

Po, të gjitha ndërtimet pa leje, që janë bër mbi kolektorë, do të prishen. Kjo është vendosur. Për këtë kemi nxjerrë grupet e punës për verifikimin e tyre në terren. Pastaj për t’ia kaluar Policisë Ndërtimore për të bërë ekzekutimin e vendimit të bashkisë. Nuk mund të rrezikojmë Shkodrën për disa dyqane apo shtëpi. Brenda pak ditësh do të fillojë dhe prishja e tyre.

Po për ndërtimet me leje që janë mbi kolektorë, si do të veprohet?

Do të rishikohen të gjitha. Gjithashtu do të shihen nëse i kanë plotësuar kushtet për të bërë ndërtim, në të kundërt ato do të prishen.

Kë fajësoni për përmbytjet në qytet: gjendjen e kolektorve apo KESH-in për hapjen e portave të hidorcentralit?

Dihet se fenomeni “Harasani” nuk është hera e parë që përmbyt Shkodrën. Pyetjet për Harasanin nuk meritojnë as përgjigje.

Ndihma nga MPVD-ja

99.350.000 lekë

Për zonën Vig-Mnelë, Hajmel dhe Vau i Dejës

10.000.000 lekë

Për bashkinë e Shkodrës për sistemimin e brigjeve të Drinit në lagjen Bahçallëk

16 040 000 leke

për infrastrukturën në qytet dhe marrjen e masave parandaluese nga përmbytjet

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›