E Hënë, 2 Nëntor 2026

James Pellerito, Ballkani eshte i mallkuar

09/12/2004  James Pellerito

Ballkani i mallkuar

Fenomeni shqiptar brenda apo jashtë kufijve administrativë ka hyrë tashmë, edhe në jetën e vendeve fqinjë evropianë. Tragjedisë së kombit tonë, përveç emigracionit masiv e dosjeve të të humburve, iu shtua edhe ajo e përndjekjes etnike në Kosovë e Maqedoni. At e bir largohen nga Maqedonia në flakë dhe pas kanë lënë një nënë e grua të vrarë, një urrejtje dhe puthuajse aspak shpresë. Por kur shkelën në tokën e "premtuar", ndeshën përsëri në zhgënjim. Një djalosh i vogël që jeton botën e fëmijërisë, të dhunuar nga përleshjet etnike ballkanase dhe humbja e nënës. Por për të jeta vazhdon. Ai është një fëmijë që do të luajë me lodra, të luajë me top apo edhe të hajë një akullore. Dëshira fëminore, por njëkohësisht edhe "mollë të ndalueme". Një prind që dëshiron një të ardhme ndryshe për djalin e vet, por që statusi i "refugjatit të panjohur" i lejon vetëm të shpenzojë qindarkat e fundit, për të "shkëputur" djalin nga banaku i akulloreshitësit. Realiteti shfaqet frikshëm, në një vizion të vetëm. O jetë, pse kaq tmerr? O fat i pabesë, pse kaq mizor edhe me një fëmijë? Një vendim për t'u marrë. Që të "shpëtojë" një jetë, duhet që përveç nënës të humbasë edhe të atin? Si mund të ndjehet një prind që s'ka asnjë mjet për të rritur fëmijën, në një vend të huaj, ku problemet e tyre disave nuk u interesojnë. Instiktivisht mendon braktisjen, me shpresën se dikush do të ndihmojë një fëmijë të mbijetojë, e më pas, pse jo t'i ofrojë një të ardhme më të mirë larg "të mallkuarit" Ballkan, që vazhdon edhe në shek. e XXI të digjet në zjarrin e "huliganëve" nacionalistë. Një paralelizëm për shpirtin njerëzor të evropianëve të "civilizuar". Dikush i ftohtë akull, që gjykon nga pozita e më të fortit, e dikush që ndjen dhimbjen njerëzore dhe zgjat dorën për ndihmë. Evropa e civilizuar "bën sehir" vuajtjen e evropianëve "të dorës së dytë", fqinjëve të tyre jugorë, që jetojnë në Ballkanin "barbar". A mundet vallë të besohet se "fëmijët tanë humbasin, ndërsa shqiptarët vetëm braktisen". E, natyrisht, vetëm "barbarët" veprojnë kështu, nuk mund të ndodhë ndryshe. Por ja që në fund vërtetohet se edhe "barbarët", jo vetëm që kanë shpirt, por edhe kur mendojnë të braktisin fëmijët, duan vetëm t'i shpëtojnë nga ai vend që digjet, që mund të digjet, apo që mund t'i marrë edhe jetën, sepse Evropa plakë dhe e "civilizuar" vazhdon të rrijë indiferente, edhe pse ajo është po aq përgjegjëse për zjarrin që vazhdon të djegë Ballkanin. Ky ishte filmi që skenaristi italian James Pellerito, prezantoi në "Tirana Film Festival" dhe që e kishte titulluar "Batica", në simbolikë të detit që i çoi babë e bir në botën e "civilizuar", e cila i ktheu përsëri mbrapsht, pasi "barbarët" nuk ishin të mirëpritur.

Leonard Olli

Box

Shalli i dëshpërimit dhe zhgënjimit

Një pamje e mrekullueshme shfaqet në ekran. Një kodër e blertë, shkëmbinj të thepisur që bien thikë mbi det. Një natyrë e mrekullueshme, por në një antitezë me atë çka do të pasojë. Një nënë e lumtur në një fshat të largët bask në Francë, që me mburrje njofton fqinjët e saj, se Anxhelo, djali i saj, një biznesmen i suksesshëm në qytetin stërmadh ku jeton, do të vijë të kalojë Krishtilindjet bashkë me të. Ndoshta për vite me radhë fqinjët kanë dëgjuar të njëjtin ritual, por Anxhelo s'është dukur kurrë. Një nënë e lumtur, që pas shumë vitesh do të shohë përsëri birin e saj, ecën më këmbë deri në qytetin më të afërt, për t'i blerë edhe një dhuratë. Pastaj kthehet dhe fillon të përgatisë tryezën e festës së madhe, e që gatuan ushqimin e preferuar të Anxhelos. Nata fillon të mbulojë fshatin dhe minutat e pritjes i lenë vendin dyshimeve, më pas ankthit dhe së fundi tmerrit, se Anxhelo përsëri nuk do të vijë. Një klithmë dëshpërimi dëgjohet në errësirë, një klithmë nëne, e harruar, e braktisur nga pjella e vet. Askush nuk duhet ta mësojë. Një nënë nuk mund të "tradhtojë" apo t'u pohojë fqinjëve se i biri e ka harruar. Instiktivisht improvizon një ardhje që të bëhet e besueshme edhe nga fqinjët. Gatimet që "varrosen", krevati që shkatërrohet, pizhamat që zhubrosen dhe shpjegimi, që për arsye pune, "Anxhelo erdhi vonë, e u nis që pa gdhirë". Vështrimi mosbesues i fqinjit e shpon tej-përtej, por ajo është e bindur që po u thotë të vërtetën. E papritur, vështrimi i fqinjit ndalet te një shall, që s'e ka parë më parë mbi qafën e saj. Natyrisht ka një shpjegim, është "dhuratë" nga Anxhelo, është prova që ai erdhi, prova se ai nuk e ka harruar, e as ka turp nga nëna e tij fshatare. Një dramë 23-minutëshe e skenaristit francez, Safy Nebbou, që u dedikohet të gjithë prindërve të braktisur.

l. olli

Bujar Salihi: Së ardhmes i takon optimizëm

Bujar Salihi, i lindur në Tetovë, që prej vitit 1989 jeton në Francë. Ai u paraqit në këtë festival, i pari i tij ndërkombëtar, me filmin artistik "Si zakonisht...!"

Një autor italian që trajton temën e shqiptarëve të Maqedonisë...

Si duket, ky fakt e ka prekur atë më shumë. Kjo nuk do të thotë aspak se unë ndjehem larg çështjes shqiptare. Por do të dëshiroja që ajo që do të bëja të jetë diçka më e gëzuar. Nuk duhet kurrë të harrojmë, por jeta vazhdon dhe ne nuk mundet të jetojmë me të kaluarën.

Sa dhe si trajtohet në kinematografinë e sotme tema e individit?

Në filmin tim unë kam trajtuar temën e individitit. Natyrisht, që ky individ nuk mund të shihet i shkëputur nga shoqëria. Eshtë një binom i pandashëm. Por besoj se pa individin nuk do të kishim një film, duke filluar që nga karakteri i tij, lëvizjet e tij, gjithçka. Eshtë normale që mënyrat e fokusimit janë të ndryshme. Ajo që unë besoj është se individi gjithmonë ka qenë në qendër të vëmendjes së krijuesve, por ajo që ka ndryshuar në ditët tona është teknika, mënyra e të prezantuarit. Po të krahasojmë një film të ditëve tona me një të viteve '70, e kupton menjëherë se ne nuk kemi zbuluar ndonjë gjë të re, thjesht kemi përsosur teknikat dhe mënyrat e të krijuarit janë prefeksionuar.

Kush e ka financuar filmin tuaj?

E kam financuar tërësisht vetë. Në Francë jepen buxhete të mëdha për filmat me metrazh të gjatë dhe, pothuajse aspak për atë me metrazh të shkurtër. Kjo ka edhe aspektin pozitiv, pasi të detyron të gjesh rrugë nga më të ndryshmet për të bërë atë që të pëlqen, si në aspektin financiar, ashtu edhe në atë teknik. Do ta quaja shkollën më të mirë për të mësuar në praktikë se si të bësh një film, qoftë edhe me metrazh të gjatë.

Si e ndjeni veten në Tiranë?

Jam dy herë i gëzuar. Së pari, se më duket vetja si në shtëpinë time dhe, së dyti, se është hera e parë që marr pjesë në një festival ndërkombëtar, pasi të gjitha festivalet në Francë, ku kam marrë pjesë, kanë qenë kombëtarë.

Panajotis Fafutas, autor i "Qielli i kuq" (opinioin)

Festivalin e bëjnë njerëzit...

"Në Tiranë jam ndjerë shumë mirë. Kam qenë vjet në një festival në Francë dhe, për katër ditë rresht u ndjeva i vetmuar. Askush nuk u kujtua se isha edhe unë. Një festival nuk e bëjnë vetëm filmat e bukur, por edhe njerëzit. Kam ndjerë shumë ngrohtësi. Ajo që më mungon jo vetëm mua, por edhe pjesëmarrësve të tjerë, jo vetëm këtu në Tiranë, por edhe në shumë festivale të tjerë, është se në mbrëmje nuk ka një organizim për t'u takuar, biseduar, për t'u njohur e për të shkëmbyer mendime në mënyrë të organizuar. Ndoshta, mundet të ishte menduar që pas përfundimit të shfaqjeve të gjithë autorët të ngjiteshin në skenë dhe të komunikonin apo t'u përgjigjeshin pyetjeve të publikut, pasi në konferencat për shtyp ka një kumunikim më tepër mediatik, ndërkohë që për ne po kaq e rëndësishme është edhe komunikimi i drejtpërdrejtë me publikun që e ka parë filmin dhe të mësojmë përshtypjet e tij. Por të gjitha këto janë probleme që korrigjohen lehtë dhe unë do t'u sugjeroja miqve të mi kineastë në Greqi, që të marrin pjesë, pasi festivali ia vlen. Në përgjithësi cilësia e filmave është e mirë. Personalisht, mendoj se më pak filma, ndoshta do të rrisnin edhe më shumë cilësinë".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›