Paratë e Telekomit, për borxhet e Qeverisë
09/12/2004 Buxheti i 2005-ës sjell të ardhurat më të ulëta në historinë e buxhetit dhe tregon falimentin e qeverisë përballë politikave të zhvillimit. Kanë qenë këto akuzat e nënkryetarit të Komisionit të Ekonomisë, Ridvan Bode, ish-ministër i Financave në ’96-ën, i cili i ka bërë një analizë të thellë rezultateve të buxhetit nga ‘99 e këtej, duke argumentuar se me Buxhetin e vitit 2005 shënohet niveli më i ulët i të ardhurave në përqindje dhe i investimeve publike. “Ju keni një përqindje të të ardhurave në raport me PBB në 2005, 22.3 për qind nga 25 për qind që ka qenë në ’96-ën, duke shënuar nivelin më të ulët historik”, ka deklaruar Bode. Por është kundërpërgjigjur menjëherë ministri i Financave, Arben Malaj, i cili ka deklaruar se, rritja nga të ardhurat dhe investimet janë disa milionë më shumë se në ’96-ën, kur qeveriste PD-ja. “Ne kemi një nivel të ardhurash në masën 23 për qind, nga 16 për qind që keni patur ju dhe një nivel të mbledhjes të të ardhurave tatimore në masën 19 për qind, nga 13 për qind që ka qenë në ’96-ën”, ka deklaruar Malaj. Për ministrin e Financave, Buxheti i 2005-ës ka parashikuar një rritje të investimeve publike dhe një ulje të shpenzimeve operative. Por, ndërkaq nga shitja e pronave shtetëore si Albtelekomi apo Armo, vetëm 50 për qind e parave do të shkojnë për investime, ndërkohë që 50 për qind të tjera do të përdoren për të shlyer borxhin e brendshëm, ashtu sikurse u përdorën dhe paratë e Bankës së Kursimeve. “Ju keni sjellë një buxhet që parashikon si asnjëherë tjetër deficitin parimor, duke bërë të qartë se masa e deficitit do të jetë më e madhe se ajo e investimeve”, ka kundërshtuar në lidhje me këtë çështje Ridvan Bode. Për ish-ministrin e Financave, të gjitha statistikat që flasin për një buxhet në favor të popullit dhe të taksapaguesve, tregojnë se ka vetëm rënie. Kështu investimet, në raport me prodhimin e brendshëm bruto, tregojnë se është shënuar një rënie në masën 0.5 për qind nga viti 1996, ndërkohë që për sigurimet dhe ndihmën sociale është shënuar një rënie prej 1.3 për qind. “Masa e investimeve që keni bërë për arsimin dhe ndihmën shoqërore tregon se ju nuk keni menduar kurrë për popullin në buxhetin tuaj”, ka argumentuar Bode. Për ministrin e Financave, ky fakt nuk qëndron, edhe pse nuk ka kundështuar në parim asnjë nga statistikat e Ridvan Bodes. “Emocionet politike ju shtrembërojnë argumentet profesionale”, ka deklaruar Malaj, duke kujtuar se përqindjet e investimeve janë dhe pasojë e ndryshimit të strukturës së ekonomisë që po shkon drejt hapjes dhe privatizimit total. Ministri i Financave, Arben Malaj, ka kërkuar që Buxhetit 2005 t’i bëhet një oponencë e fortë me argumente profesionalë dhe jo një kundërshtim politik. Në mbrojtje të ministrit të Financave ka qenë dhe kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Ylli Bufi, i cili ka kujtuar se ky buxhet ka marrë vlerësimin e FMN-së. “Për herë të parë në historinë 13-vjeçare të hartimit të buxheteve, një ekspert i FMN-së vjen në Komision dhe vlerëson buxhetin si mjaft realist”, ka thënë Ylli Bufi. Por për kundërshtarin politik, Ridvan Bode, shifrat flasin qartë pa qenë nevoja të politizohen dhe, Qeveria duhet të japë llogari për nivelin akoma të lartë të evazionit fiskal dhe ekonomisë informale, ashtu sikurse për nivelin e ulët të investimeve publike në 2005-ën.