E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Jam profesionist, por nuk e kuptoj si ndodhi shpërthimi”

09/12/2004  Një ditë pas shpërthimit të çisternës, nënë e bir, të shtruar në të njëjtën dhomë në spitalin e Beratit

BERAT – Jo më shumë nga 48 orë pas tragjedisë në qytetin e Urës-Vajgurore, ku si pasojë e plasjes së çisternës, ku gjeti vdekjen 42-vjeçari Pandeli Piti, i mbijetuari i kësaj tragjedie Lorenc Mata ndodhet ende në gjendje të rëndë në sallën e kirurgjisë së spitalit rajonal të Beratit. Lorenci ndodhet në katin e dytë të spitalit, në pavionin e kirurgjisë, në dhomën nr.17. Në dhomën ky ndodhet Lorenc Mata, në anën tjetër, shtrirë në krevat, ndodhet dhe një grua, e cila qan herë pas herë. Tre gratë, që janë të familjes Mata, thonë se është nëna e Lencit, e cila ka katër ditë që është operuar nga tëmthi dhe tashmë ka vënë kujën për atë që i nodhi djalit të saj.

Në një intervistë për gazetën “Metropol”, babai i dy djëmëve, Mariusit, 4 vjeç dhe Aleksit, të ardhur në jetë vetëm para 5 muajsh tregon orët e tmerrit, ku gjeti vdekjen shoku i tij, ndërsa ai mbeti i plagosur rëndë.

Çfarë mbani mend, si ndodhi ngjarja?

Çisternën, që plasi, e kishim mbushur me ujë që në darkë, më pas erdhi vinçi e zbritëm dhe e kthyem përmbys. E zbërthyem, duke i hapur kapakun dhe i bëmë një pastrim me lavazho. Më pas po saldonim bazamentin e çisternës, e cila nuk ka qenë e vjetër, por e përdornim për ta mbajtur me naftë. Hapëm saraçineskën dhe shkarkuam ujin. Isha unë që po saldoja me saldatriçe disa pjesë, ndërsa kisha ndezur gjeneratorin, se nuk kishte drita.

Çfarë ndodhi më pas?

Nuk e mbaj mend atë që ndodhi, vetëm mbaj mend që unë po saldoja dhe Pandi ishte duke punuar jo shumë larg meje. Thonë se kanë qenë gazrat që kanë shkaktuar shpërthimin, por kam rënë pa ndjenja dhe nuk më kujtohet nëse ishte presioni i gazrave apo pesha ajo që më ka shkaktuar dëmtime në trup.

Kur e mësuat lajmin e vdekjes së shokut tuaj?

Ma thanë sot (dje) në drekë, o Zot përse të ndodhi.

Kur e keni hapur karburantin dhe keni patur ndonjë problem të kësaj natyre?

Është hera e parë në jetën time që më ndodh. Kam qenë profesionist, pasi kam punuar me autobot për transportim bashkë me shokun tim të fëmijërisë, që sot jemi bashkëpronarë të pikës së karburantit, Edmond Piti. Babai im, Kici, ka patur një autobot dhe pas një kursi 2-vjeçar kam filluar punë me Mondin, në vitin ‘94-‘95, duke bërë transport të karburanteve dhe lëndëve të tjera në gjithë qyetet e jugut. Më pas blemë automjetet dhe tokën për të ndërtuar karburantin që kemi.

Si paraqitet gjendja juaj shëndetësore, çfarë iu kanë thënë doktorët?

Nuk mund të lëviz, kam marrë dëmtime të rënda në legen dhe do të më nisin për në Tiranë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›