E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tirana film, "alive" trauma shqiptare

12/12/2004  Tirana film

“alive” trauma shqiptare

Mjafton një gacë që ujërat midis dy vendeve, Shqipëri- Itali të nxihen njëherësh.

Publiku shqiptar ofshan menjëherë, kur mbi perden e bardhë kalojnë rishtas historitë e refugjatëve që gjejnë detin shpëtim. Ndërsa nga të huajt, regjisorë, i bie të lenë karrigen bosh e të ikin, ca se nuk kuptojnë gjuhën, e ca se prap nuk kuptojnë gjuhën, këtë herë të dhimbjes sonë. Dje ishte dita e dytë që u prezantua në kinema "Millenium 2", në seksionin e konkurrimit të dokumentarëve, historia shqiptare.

Nëse një ditë më parë ishte regjisorja Anila Varfi me filmin “Jetë pezull”, që risillte modestisht një tronditje të rëndë familjare, dje u bënë bashkë një shqiptar i ri, Ervis Eshja dhe një regjisor italian, Mattia Soranzo, për të memorizuar në celuloid historinë e bujshme të marsit të ’97-ës, kur mbi 100 tentuan të kalojnë detin, por vetëm 34 prej tyre gjetën shpëtim.

Të dyja rastet në thelb mbajnë një fund pezull, pa mundur të gjenden përgjegjësit e vdekjeve barbare. Në të dy dokumentarët, mbytjet e anijeve shqiptare janë misterioze. Megjithëse dihen “autorët” dhe regjisorët guxojnë të shkojnë deri në zgrip të së vërtetës, prapë ëshë e pamundur të kryhet misioni që duan të çojnë në këtë festival të dy dokumentarët. Më shumë se një ripërsëritje shpirtërore, të asaj atmosfere tejskajshëm të fortë, mbetet e dukshme korniza e pamundësisë për të sjellë potencialin artistik të duhur. Që në rastin më të mirë u pa ndër filmat e tjerë dokumentarë. Dokumentari i Varfit më shumë i ngjante një kronike televizive, që rrëmon në njerëz, duke treguar ngjarjen. Metrazhi i shkurtër i këtyre dokumentarëve mban frymën, tërhiqet mbrapsht për t’ia dalë, por pa ndonjë fund... duke mbetur vetëm në ripërsëritje kohore, duke tentuar apelin.

Sfondi për këtë duket se është krijuar posaçërisht në këtë festival, një veprimtari që bëhet në Tiranë.

Dëshmia “artistike” ka zgjedhur vetëm mbetjet e asaj gjurme të rëndë, që zor se mund të mos i shkaktojë çdo shqiptari një mbipeshim në zemër. Ndërsa këndvështrimi i bashkëpunimit të regjisorit të ri shqiptar Eshjes me atë italian, duket më shumë i guximshëm, që fjala bie i ngjan një lloj “shlyerje” faji për fqinjin. Asgjë më tepër. Traumën e shqiptarëve e shikojnë të gjallë të huajt, por për vendasit ajo është një lloj “overdoze”, që nuk i ngjet aspak një krijimi intuitiv, emocional dhe mprehtësie artistike.

V.Murati

“Jeta pezull”

Që nga viti 1990 deri më 2004, numri i dosjeve për personat e quajtur të humbur ka arritur në 2000, sipas Kryqit të Kuq Shqiptar. “Indiferentizmi dhe plogështia e shtetit për t’i ndihmuar këta qytetarë të humbur dhe familjet e tyre fatzeza, më detyroi të ndaloj në emër të humanizmit dhe t’i ndihmoj ta bëjnë publik hetimin dhe denoncimin e rasteve të studiuara që prej vitit 1990”, thotë regjisorja Anila Varfi për filmin e saj “Jeta pezull”. Me pak fat në hetime, ata, edhe mund t’i gjejnë të afërmit e tyre të humbur...

Përplasja “Jetoj”

Është nata e 28 marsit, kur “Katër i radës”, një anije patrulluese e flotës shqiptare mbytet pas një përplasjeje me motovedetën italiane “Sibilla”. Shpëtojnë 34 veta dhe gjenden të vdekur katër trupa pa jetë. Shteti i të mbijetuarve deklaron se në anije ishin mëse 100 vetë. Dokumentari “Jetoj”, me regjisor Ervis Eshja dhe Mattia Soranza, është një histori rreth ngjarjes së 28 marsit të vitit 1997, e treguar nga Krenar Xhavara, një nga të mbijetuarit. Krenari ishte dëshmitar i tragjedisë së ndodhur në Vlorë.

Galeria Kombëtare e Arteve rikoncepton katër sallat muzeale

Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë me rastin e 50-vjetorit të krijimit më 14 dhjetor, ka nisur rehabilitimin konceptual të katër sallave me ekspozimin edhe të veprave të papërfshira më parë në fondin muzeal.

Drejtori i GKA-së, Abaz Hado, tha se "jemi duke punuar për rehabilitimin e sallave të 'Skulpturës', 'Rilindjes', 'Grafikës dhe vizatimit' si dhe të 'Artit modern të pas viteve '90-të'. Në sallën e skulpturave, ose ndryshe 'salla blu', do të ekspozohen edhe veprat e autorëve që nuk kanë qenë të pëlqyer gjatë viteve të realizmit socialist, ndërsa nuk do të mungojnë vepra që paraqesin ndikimin e sistemit politik në art", tha Hado.

Disa prej autorëve, veprat e të cilëve do të ekspozohen aty janë: Thoma Thomai, Kristaq Rama, Odise Paskali, Janaq Paço, Fuat Dushku, Perikli Çuli etj.

Në të njëjtën sallë ku do të ekspozohen skulpturat e "indoktrinuara" prej socializmit është planifikuar ekspozimi i pikturave, që përbëjnë traditën më të mirë të pikturës shqiptare.

Një tjetër sallë muzeale është ajo e "Artit modern", ku përfshihen veprat e autorëve të tillë si: Bashkim Ahmeti, Edi Hila, Ali Oseku, Gazmend Leka, Ilir Butka, Hasan Nallbani, Genc Mulliqi, Artan Peqini, Orjon Shima etj.

Brenda këtij pavioni është përfshirë edhe "shtëpia e fotografisë" dhe e pavionit muze të veprave të huaja, që ruhen në fondin e Galerisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›