Haxhi debuton në kompeticionin e ëndrraveMesfushori i Apoel Nikosia është shqiptari i gjashtë që do të luajë në fazën e grupeve të Champions League

Publikoje ne:
Altin Haxhi ka rastin nesër të bëjë debutimin e “ëndërruar”, atë në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve, kur Apoel Nikosia, klubi më i titulluar në Qipro, me 20 tituj kampionë dhe 19 Kupa, do të luajë të martën në “Vincente Calderon” kundër vendasve të Atletico Madrid.
Në fakt, Apoel Nikosia nuk ka ndonjë bilanc të mirë në kompeticionet europiana: 30 fitore në 102 takime, ku 50 prej tyre janë humbje e 22 barazime.
Klubi qipriot, në të cilin militon futbollisti gjirokastrit, është themeluar në vitin 1926, dhe është i dyti pas Anorthosis Famagusta të Arjan Beqajt, që merr pjesë midis 32 të mirave të Europës në edicionin aktual.
Bashkë me Altin Haxhin do të “luajë” edhe Foto Strakosha, por legjenda e portës të Kombëtares shqiptare do të jetë në rolin e trajnerit të portierëve.
Në fazën e play-ofit të Champions League, Apoel Nikosia eliminoi skuadrën daneze, Kopenhagen, por më parë kishte hequr “qafe” edhe Partizanin e Beogradit.
Sa për statistikë, vetëm katër lojtarë aktual të Apoel Nikosia kanë luajtur më parë në ndeshjet e Champions League: qiprioti Charalambides, portugezi Nuno Morais dhe grekët Christos Kontis e Dionisios Chiotis.
Përsa i përket lojtarëvë shqiptarë, të cilët janë aktivizuar në fazën e grupeve të Champions League këta janë vetëm pesë: Lorik Cana me Olimpique Marseille (2 gola), Besart Berisha me Hamburg (1 gol), Besnik Hasi me Anderleht, Arjan Beqaj me Anorthosis Famagusta dhe Kliton Bozgo me Maribor (1 gol).
E Hene, 14 Shtator 2009