Haxhi feston 100-shen në Ligën e Kampioneve
Altin Haxhi me Apoelin e tij qipriot është lojtari i vetëm që përfaqëson Shqipërinë në Ligën e Kampioneve, në turin e katët të kompeticionit prestigjioz, ku do të luajë kundër Kopenhagenit. Ndeshja e parë kundër danezëve do të jetë jubilare për Apoelin, pasi do të mbushë 100 takime ndërkombëtare në të gjitha kompeticionet evropiane ku ka marrë pjesë. “Apoel shkruan historinë. Ndeshjen e tij të 100-të e feston në Ligën e Kampioneve”, - shkruan faqja qipriote Sigmalive.com
Apoel Limasol eliminoi në turin e tretë Partizanin e Beogradit (2-0, 0-1) dhe tani shorti i vendosi përballe danezëve të Kopenhagenit. Pas eliminimit të Partizanit të Beogradit (shumë vite më parë i eliminuar edhe nga Flamurtari i Vlorës, të gjithë e kujtojmë golin fantastik të Sokol Kushtës në Beograd), Altin Haxhi u shpreh për faqen qipriote “Sigma Live”: “Ndjej një gëzim të madh. E dinim fuqinë tonë. Më vjen keq që pësuam gol, pasi lojtarët dhanë maksimumin e mundësive të tyre”.
Pas hedhjes së shortit të Ligës së Kampioneve trajneri i Apoelit, Ivan Jovanoviç, tha për faqen zyrtare të UEFA-s: “Kopenhagen ishte ekipi më i vështirë që ne mund të përballeshim në grup, përfshirë dhe Olimpiakosin. Është një ekip shumë i mirë dhe të dyja ndeshjet do të jenë të vështira. Unë besoj se do të jetë një kundërshtar më i fortë se Partizani (i Beogradit)”. Edicionin e vitit të kaluar të Ligës së Kampioneve, Anorthosis Famagusta, ekipi qipriot i Arjan Beqaj shkoi deri në fazën e grupeve (Beqaj bëri një paraqitje të mirë, sidomos kundër Interit), ndërkohë që Lorik Cana me ish-skuadrën e tij, Olimpiku i Marsejës, shënoi një gol kundër Liverpulit.
8 Gusht 2009