Tus Koblenz, nën “diktatin” e vëllezërve Kuqi
Dy vëllezër, për më tepër që të dy sulmues, shqiptarët me pasaportë finlandeze, Shefki e Njazi Kuqi, kanë marrë përsipër misionin të çojnë skuadrën e tyre, Tus Koblenz, në zonën e ngjitjes në Bundesliga 2. Misioni i tyre nis pikërisht të dielën, në ndeshjen kundër 1860 Munchen, pikërisht në “Alianc Arena” të Munihut.
VËLLEZRIT KUQI
Tus Koblenz e dha sinjalin e parë në Kupën e Gjermanisë, ku fitoi 4-0 kundër Konkordias së Oberligës (kategoria e pestë gjermane), falë edhe dy golave të realizuar nga Shefki Kuqi, një ndeshje e vendosur qysh në tridhjetë minutave pasi rezultati shkoi 3-0. Te 1860 Munih e pranojnë influencën e dy shqiptarëve: “Falë vëllezërve Kuqi ata janë më mirë të vendosur përpara”, - thotë bashkëtrajneri i 1860, Abder Ramdane. Shefkiu, vëllai i madh, i ardhur nga Kristal Palas (Angli), është shumë i fuqishëm dhe një lojtar me përvojë të madhe, duke u konsideruar si një blerje e rëndësishem e trajnerit të Tus Koblenz, Uve Rapolder. Ndërsa Shefkiu është në sezonin e tij të parë me Tus Koblenz, Njaziu edicionin e kaluar shënoi 16 gola për fanellën e Koblenzit, në 28 ndeshje të aktivizuara.
KAPITEN
Edhe pse është një blerje e re, Shefki Kuqi është përzgjedhur nga trajneri Uve Rapolder, si kapiteni i ri i ekipit për sezonin e ri 2009-2010. “Shefki Kuqi ka në dispozicion të tij një thesar përvoje të jashtëzakonshme falë stacioneve të tij në Angli. Ai është një kapiten absolut dhe do t’i japë shumë me përvojën e tij”, - tha trajneri Rapolder, që mesa duket ka një besim të verbër te sulmuesi i fuqishëm 32-vjeçar. Edhe në ndeshjen e Kupës së Gjermanisë, Shefkiu mbajti shiritin e kapitenit, por tani ka marë formë zyrtare. Shekfiu e Njaziu janë dy nga dhjetë lojtarët e jo-gjermanë të Tus Koblenzit, që në radhët e tij ka dhe tre kosovarë të tjerë, Aljmir Muratin, Renaldo Ramën dhe Gentian Gashin.
SHEFKIU
Kosovari 32-vjeçar e filloi karrierën në Finlandë, pas emigrimit të familjes së tij në atë vend. Me skuadrën e tij të parë, Miki, në 50 ndeshje shënoi 10 gola, ndërkohë që numëron jo pak, por dhjetë ekipe në karrierën e tij, përfshirë shtatë skuadra angleze, ku më të famshmet janë Ispuiç Toun, Bllekbërn Rovers, Kristal Palas dhe Fulham. Tus Koblenz është ekipi i parë gjerman në karrierën e futbollistit të Kombëtares finlandeze (56 ndeshje, 7 gola). Nofka e tij është “finlandezi fluturues” për shkak të mënyrës së tij të festimit, si një zog me krahët hapur.
NJAZIU
Është më gjashtë vjet më i vogël se Shefkiu, dhe luan sezonin e tij të dytë me Tus Koblenz. Edhe Njaziu karrierën e nisi në Finlandë me Lahtin (2002-2005), skuadrën që eliminoi Dinamon tonë në Ligën e Europës në këtë edicion. Tre skuadra britanike (Birmingam, Bllekpull, Pitërbrou), një holandeze (Groningen) dhe 2 gjermane (Karl-Zeis Jena e Tus Koblenz) janë karrieën e sulmuesit të Kombëtares finlandeze (3 ndeshje, 3 gola). Në Finlandë shpesh e thërrasin “Nazi”, duke iu referuar termit nazist, Nazismus”, për shkak të emrit të tij Njazi.
5 kosovarë
Shekfiu e Njazi Kuqi janë dy nga dhjetë lojtarët e jo-gjermanë të Tus Koblenzit, që në radhët e tij ka dhe tre kosovarë të tjerë, Aljmir Muratin, Renaldo Ramën dhe Gentian Gashin. Sezonin e kaluar për Koblenzin luajti dhe Fatmir Vata e Ardian Gjokaj, ndërkohë që ka luajtur më parë dhe shqiptari nga Maqedonia, Artim Pollozhani.
8 Gusht 2009