E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haxhia: “Duro, oferta nga Anglia”



Menaxheri i njohur i FIFA-s, Sokol Haxhia, ka kryer disa transferime gjatë merkatos verore: “Për Klodian Duron më kanë kontaktuar një klub nga Italia, një nga Anglia dhe një nga Greqia. Jam i kënaqur me faktin që ky lojtar po tregon cilësitë e tij dhe po merr atë që meriton si lojtar. Në merkaton dimërore do të ketë surpriza të tjera. Hidi është duke u vëzhguar për disa javë nga skauteri i një ekipi europian shumë i rëndësishëm”,- thotë Haxhia, i cili është duke mbyllur marrëveshjet menaxheriale me Ansi Agollin, Endri Vrapin e Ervin Llanin.

Zoti Haxhia, pas transferimeve intensive të disa prej lojtarëve më të spikatur shqiptarë, tashmë ka ardhur koha që si menaxher zyrtar i tyre të bëni edhe një bilanc të paraqitjes të tyre.
Përsa i përket bilancit më duket mëse pozitiv, pasi asnjë nga skuadrat ku kam kryer transferimet nuk më ka komunikuar asgjë negative përsa i përket paraqitjes së lojtarëve që unë përfaqësoj, ndërsa për lojtaret në përgjithësi mirë, përjashto këtu për ndonjërin që ka nevoje për pak kohë më tepër për ambientim. Hidi tel Alki është një nga surprizat e superligës qipriote, në 4 takime është vlerësuar me titullin "Më i miri në fushë" dhe ka tërhequr vëmendjen e 2 klubeve në Qipro, që më kanë kontaktuar për të pasur ekskluzivitetin e këtij lojtari. Por nuk ka tërhequr vëmendjen vetëm në Qipro. Hidi është duke u vëzhguar për disa javë nga skauteri i një ekipi europian shumë i rëndësishëm. Rrustemi është kthyer në lojtar titullar te ALKI mbas 2-3 ndeshjeve ne stol, i kondicionuar nga një problem fizik, por tashmë është rikuperuar plotësisht. Këtë e tregoi me paraqitjen e tij ndeshjen e fundit, ku barazuan jashtë. Lila te Tirana është duke treguar kualitetin e tij dhe është autori i disa golave. Memelli, po ashtu te Tirana, është një emër, një garanci, këtë e tregon edhe renditja në klasifikimin e golashënuesve të kampionatit tonë, falë kualitetit të tij ky lojtar po hyn në elitën e sulmuesve shqiptarë.

Klodian Duro ishte dhe transferimi juaj i parë në Qipro, te një ekip më emër si Omonia Nikosia, që aktualisht kryeson kampionatin qipriot. Cila është përshtypja e drejtuesve të klubit qipriot për mesfushorin e Kombëtares shqiptare?
Duro tek Omonia nuk ka nevojë që unë të them si ka luajtur. Atë e tregojnë statistikat në klub dhe ato në kombëtare. Për Klodin më kanë kontaktuar një klub nga Italia, një nga Anglia dhe një nga Greqia. Jam i kënaqur me faktin që ky lojtar po tregon cilësitë e tij dhe po merr atë që meriton si lojtar, jo sepse e përfaqësoj unë, por mund të bëjë pjesë në çdo skuadër elite europiane. Këtë gjë e ka kuptuar edhe klubi i Omonias, që është duke përgatitur një kontratë të re me një pagesë siç e meriton një lojtar që bën diferencën në fushë.

Qiproja mund të konsiderohet si një “ishull” shqiptar, pasi aty luajnë pesë futbollistë: Klodian Duro, Isli Hidi, Blerim Rustemi, të cilët menaxhohen nga ju, por edhe dy njohje të vjetra si Arjan Beqaj e Altin Haxhi. Cili është ndikimi i futbollistëve tanë në kampionatin qipriot?
Unë, duke jetuar në Itali, nuk kam pasur ndonjë njohje në thellësi të kampionatit qipriot, por më kanë mjaftuar 2 ditët e para në Qipro në fillim të muajit maj për të kuptuar respektin dhe adhurimin për futbollistët tanë në këtë vend: Beqaj është idhulli i mbarë sportdashësve të futbollit në Qipro, kam konstatuar personalisht adhurimin e njerëzve për këtë lojtar, i krahasuar me rëndësinë që u jepet lojtarëve të kalibrit të Maldinit, Totit, Kakasë apo Ibrahimoviçit në Itali, foto, autografe, salutime, gjë që më ka bërë të ndjehem krenar në krah të tij. Por, gjithashtu kam parë një respekt dhe adhurim edhe për lojtarët e tjerë shqiptarë, që aktivizohen dhe punojnë aty, si për Haxhin, Foto Starkoshën, sepse është falë paraqitjeve që kanë bërë lojtarët e lartpërmendur që në këtë vend klubet kanë lidhur kontrata me lojtaret e tjerë si Duro, Hidi, Rrustemi Për dy-tre të tjerë jam në tratativa për në muajin janar.

Ju realizuat transfertën më të shtrenjtë për një futbollist shqiptar për një lojtar në moshë 20-vjeçare, atë të kalimit të Jahmir Hykës te Mainci në Bundesligës 2. Ish-lojtari i Tiranës i ka pasur të pakta aktivizimet dhe në jo pak raste ka shprehur dëshirën për të riparë të ardhmen e tij. A keni kontaktuar me lojtarin?
Hyka është një nga krenaritë e mia si menaxher. Falë punës që kam bërë, ky lojtar, para disa ditësh, firmosi me mua një kontratë që na lidh edhe për 2 vjet, plus 2 vjet, shenjë kjo e besimit dhe punës që kam kryer, por edhe të seriozitetit tim dhe të lojtarit që unë përfaqësoj. Ambientimi i tij në Gjermani është pak i vështirë. Mos të harrojmë moshën e lojtarit nga një anë, por edhe tradicionet dhe kulturën e këtij vendi në futboll. Si çdo lojtar në transferimin e parë të rëndësishëm, i jepet koha e nevojshme për të hyrë në mekanizmat e lojës së ekipit dhe te një ekip i rëndësishëm që udhëheq Bundesligën 2. Lind pyetja: Po pse nuk aktivizohet? Dhe përgjigjja që më është dhënë: “Ka nevojë akoma për pak kohë për të hyrë në skemat e skuadrës”. Më duhet ta besoj se s’bën, se po të mos e besoja do të mendoja që ky klub u falka lekë njerëzve, i paguan për qejf, gjë që është e pamundur, sidomos nga një klub gjerman. Sakrificat e tij do t’i shërbejnë në të ardhmen Hykës në radhë të parë, por edhe futbollit shqiptar.

Ju jeni një ish-futbollist, por dhe një menaxher që ka ndjekur në Itali, përveç kurseve të rregullta të Koverçanos, por edhe për një vit Universitetin e Bolonjës për marketimin e lojtarëve. Vazhdimisht jeni parë në aktivitetet futbollistike ndërkombëtare të moshave të Shqipërisë, si ato U-17, U-19 e U-21. A keni konstatuar lojtarë të tjerë të talentuar e me të ardhme?
Për të ardhmen ne kemi një brez që sigurisht do ta risë shumë kualitetin e përfaqësueseve tona. Mjafton të përmend disa emra ekipesh ku rriten futbollistë shqiptarë. Ka emra premtues te Milani, Interi, Torino, Sampdoria, Udinese, Ravenna, Palermo, por edhe në Shqipëri te Teuta, Tirana, Shkumbini, Elbasani. Po të vëreni me vëmendje nga këto ekipe do të dalë një pjesë e së ardhmes për futbollin shqiptar.
Intervistoi: Dash Frashëri

11 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›