E Diel, 1 Nëntor 2026

DILEMAT E TRI DITEVE

Zgjedhjet e së dielës, që po afrohet gjithnjë e më shumë, shumëkush i ka quajtur historike, pa e ditur se çdo zgjedhje, edhe ato më të dështuarat e flagrantet, pra si nga ato që kemi bërë, janë po aq historike sa edhe këto që do të kryejmë. E diela po afrohet, prej saj na ndajnë vetëm tri ditë, dhe fituesi ende nuk e ka ndier erën e tharët në të ëmbël të fitores, ndërsa humbësi erën e hidhur të dështimit. Por sido që të jetë një lloj opinioni tashmë është krijuar.

Dhe kjo falë sondazheve, kryefjalës së këtyre ditëve, pas mitingjeve sigurisht. Këto, në demokraci, sa kohë që nuk manipulohen duke i gënjyer në fakt të tëra palët, janë një mjet fort i vlefshëm në pragzgjedhjesh. U duhen politikanëve, sepse mësojnë që në fillim se ç‘mendojnë njerëzit për ta dhe për partitë e tyre. Me një fjalë, u duhen atyre që mezi presin të dinë vendin e tyre në piramidën e ardhshme të pushtetit. Por u duhen dhe njerëzve të thjeshtë, për të parë se ku është partia që ata simpatizojnë, apo pala kundërshtare. Kështu do të ishte sikurse të jetonim në një vend me demokraci perfekte, me zgjedhës fort të kulturuar e me mendje më vete, që nuk ndikohen nga djali i tetos apo i xhaxhait, apo që nuk e lidhin këtë votim thjesht me faktin se kërkon të bëhet polic apo punonjës kudo tjetër në administratë. Ndodh nga pak kudo, por sidomos në vende që kanë dalë nga diktatura të gjata apo në vende gjysmëdemokratike pa traditë të konsoliduar të votimeve, që sondazhet jo vetëm të parashikojnë mendjet e njerëzve, por, dhe kjo është punë dreqi, edhe t‘i planifikojnë ato, t‘i drejtojnë ato, t‘i ndikojnë ato deri aty saqë ai që është shpallur fitues në sondazh del edhe më fitues ditën e votimit. Përkundrazi, ai që është shpallur humbës del edhe më i poshtëruar në të njëjtën ditë. Me pak fjalë, i gjithë thelbi i sondazheve ka qenë çështja se si ata që i kanë bërë ato dhe se si ata që i kanë botuar a përdorur janë sjellë me to. A i kanë shpallur ato si të vërteta të pakontestueshme, si një lloj votimi paraprak, tashmë si një bindje, apo si një tendencë e ndrojtur dhe e diskutueshme për nga kriteret dhe mjetet që janë përdorur?

Sondazhet e fundit, sa për shembull, arritën në konkluzionin se PD dhe PS do të ndanin postet në Parlament me një diferencë të vogël. "Tapa" e rëndësishme mes tyre do të ishte LSI. Të gjitha partitë e tjera në listë sipas sondazheve ende nuk kishin arritur pragun elektoral. A nuk do t‘i bënte kjo votuesit e hutuar shqiptarë - dhe të tillë ka shumë - që, edhe nëse kishin ndërmend që votën e tyre t‘ia jepnin ndonjë "të vogli", të vrapojnë të votojnë për "dy të mëdhenjtë"?

Sido që të jetë, sondazhet e kryen punën e tyre, në të mirë a në të keq. Mbetet vetëm të shpresojmë se ato i janë afruar të vërtetës. Dhe sipas disa sondazheve, Parlamenti i ardhshëm ndahet 72 vende PD, 69 koalicioni i PS dhe 5 LSI. Sipas sondazheve të tjera dhe sipas disa analistëve, krerët ndryshojnë vendet: 68 PD dhe 73 koalicioni i PS. Sido që të jetë do të kemi në krye një qeveri që nuk e ka votuar një shumicë e madhe, të paktën 41 për qind e atyre që kanë marrë pjesë në zgjedhje. Por, nuk duhet të harrojmë një parti të madhe, mbase më të madhen e politikës së sotme shqiptare. Kjo është partia e të heshturve, të të zhgënjyerve, të të pavendosurve, mund ta quajmë me plot gojën "Partia e Abstenimit". Armatën e atyre që nuk kanë votuar për qeverinë e ardhshme do ta shtojnë edhe votat e humbura të shumë partive të vogla, sidomos të atyre që kanë mbetur jashtë koalicioneve. Kështu, pra në krye do të kemi një Parlament e një qeveri, që me gjithë ngazëllimet e mitingjeve nuk do të jenë votuar nga shumica e popullit. Dhe ja se ku ndodh edhe një herë ajo që ka ndodhur gjithnjë me këtë vend, përfaqësuesit e tij nuk do të shprehin realisht, plotësisht, në mënyrë të bindshme dhe të pakthyeshme vullnetin politik të shumicës së popullit. Ka shumë gjasë dhe kështu urojmë, që nga ana formale këto zgjedhje të jenë krejt në rregull, me ndonjë përjashtim që ndodh në të gjitha vendet me gjak të nxehtë si ky i yni.

Njëri hap për të shpëtuar nga kurthet, që jo pak herë ngrihen para udhës së gjatë të demokracisë është pjesëmarrja në zgjedhje. Deri më tani partitë kanë bërë thirrje "votoni për mua", dhe shumë më pak "ejani në zgjedhje". E dyta, dhe më e rëndësishmja, është që votuesit shqiptarë më në fund ta kenë kuptuar se vota është një instrument shumë i fortë në duart tyre dhe se nuk duhet hedhur vetëm se "jam kushëri i filanit" se "kam pasur babanë partizan ndaj jam i majtë", apo "babanë ballist ndaj jam i djathtë", apo thjesht të nisur nga krahinarizma të cilave tashmë u ka kaluar koha. Dreqi ta hajë! Tashmë, të paktën si votues, e kemi një përvojë 18-vjeçare. Kemi qenë dëshmitarë ngjarjesh këtu e kemi parë botë me sy. A do të jemi ende një vend gjysmëdemokratik dhe me demokraci të brishtë si të ishim ndokund në Amerikën Latine? A do vazhdojmë ta justifikojmë sërish atë shprehjen "ky vend e ka hak një dorë të fortë"? Do të vazhdojmë të jemi një popull i butë me lider të hekurt apo do të jemi një popull i fortë me liderë që na shërbejnë? Nga përgjigjja e këtyre pyetjeve varet edhe zgjidhja e atyre dilemave që përmendëm ca më lart. Të shohim. Tri ditë nuk janë shumë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›