Haxhia: “Ispuiç interesohet për Bogdanin”

Sirena angleze për Erion Bogdanin. Pas Vicencës në Serinë B, shërbimet e "Er Bomber", i kërkon edhe Ispuic Toun. Lajmi jepet nga siti i specializuar italian calciomercato.com, që citon burime pranë klubit të Kievos. Albania-sport.com kontaktoi me njërin nga dy menaxherët e sulmuesit të Kombëtares shqiptare, agjentin e FIFA-s Sokol Haxhia, i cili së bashku edhe me Alesandro Moxhin, kanë edhe të drejtat e transferimit të lojtarit.
* * *
Zoti Haxhia, mediat italiane kanë publikuar lajmin e interesimit të Ispuic Toun për Erion Bogdani. Ju jeni menaxheri i tij, sa qëndron kjo pistë?
- Po është e vërtetë, kontakte formale ka pasur. Dëshiroj të pohoj se tratativën është duke e trajtuar menaxheri i njohur Alesandro Moxhi, i cili ka lidhje dhe ndjek merkaton britanike. Madje, sa për dijeni Moxhi është i interesuar edhe për disa futbollistë të Kombëtares shqiptare për në kampionatet angleze. Gjithsesi, për t'u ndalur te Bogdani, do të shikohen të gjitha klauzolat që do të ketë oferta e Ispuic.
A ka pasur ndonjë kontratë tjetër jashtë Italisë për Erionin?
Po, ka pasur. Para dy-tre javesh Omonia e Qipros, atje ku luan edhe Klodian Duro, i ofroi një kontratë faranike përsa i përket Qipros, prej 1 milionë euro në sezon Erionit, për një periudhë trevjecare, por Bogdani nuk e konsideroi të pranueshme, pasi ai i fiton thuajse këtë shumë edhe në Itali, për më tepër që ai ende ka vite për të luajtur në nivel të lartë. Një kalim nga Seria A në Qipro mund ta bënte në moshën 33-vjecare. Një ofertë e tillë mund të merrej në konsideratë pas dy apo tre vjetësh.
Keni realizuar disa transferua të rëndësishme gjatë kësaj merkatoje verore, transferime jashtë: Duron, Hidin e Rustemin në Qipro, Hykën në Gjermani, Filipin te Ravena, por dhe brenda vendit, kur kam parasysh Andi Lilën te Tirana. Ju keni në menaxhimin tuaj mbi 20 lojtarë shqiptarë, midis tyre edhe disa futbollistë të Vllaznisë e Partizanit, dy ekipe që luajnë në Kupën UEFA dhe është paralajmëruar edhe ardhja e menaxherëve të huaj në "Qemal Stafa" dhe në "Loro Borici".
- Ka një interesim të dukshëm për Gjergji Muzakën e Elis Bakaj dhe për ta kanë ardhur skauter nga Gjermania, Qipro e Turqia. Në Shkodër janë një menaxher turk, një gjerman dhe një skauter Hajdukut të Splitit, i cili ka ardhur për të parë nga afër Admir Telin, për të cilin arrita një paramarrëveshje me Alkin në Qipro, por pas problemeve që rrodhën, ra si kontratë. Nëse Teli do të bëjë një ndeshje të mirë, atëherë do të nisemi menjëherë drejt Kroacisë.
Erion Bogdani me menaxherin e tij, Sokol Haxhia