E Diel, 1 Nëntor 2026

VfL Osnabrucku, “aventura” e katert ndërkombëtare e Prishtines

Fatmir Bytyci

Prishtinë, 31 korrik - Kampionia e Kosovës në Futboll, Prishtina, aventurën" e radhës në arenën ndërkombëtare do ta vazhdojë në Gjermani. Kryeqytetasit ditën e diel, duke filluar në orën 16:00, do të përballen me skuadrën e Bundesligës 2, VfL Osnabrucku. Prishtinasit, të dirigjuar nga strategu Afrim Tovërlani, zhvillojnë takimin e katërt miqësor ndërkombëtar brenda vitit 2008. Ekspedita e "bardhekaltërve" për në tokën gjermane do të niset të shtunën, ndërsa kthimi do të varet nga mundësia e aranzhimit edhe të ndonjë ndeshjeje tjetër eventuale. Drejtuesit e Prishtinës në prag të udhëtimit për në Gjermani janë shprehur optimistë se do ta prezantojnë futbollin e Kosovës në mënyrë më të mirë.
"Në Gjermani do të mundohemi ta prezantojmë sa më mirë jo vetëm skuadrën e Prishtinës, por edhe futbollin e Kosovës në përgjithësi", ka thënë në takim me medie, kryetari i skuadrës kampione, Prishtinës, z. Remzi Ejupi.
"Është një lajm i mirë për futbollin e Kosovës, posacërisht për klubin e futbollit Prishtina, ku arritëm një marrëveshje që Prishtina të zhvillojë një ndeshje me skuadrën VfL Osnabruck, anëtare e Ligës së Dytë. Do të orvatemi ta prezantojmë futbollin e Kosovës ashtu sic na ka hije. Kjo është një vazhdimësi e projektit të skuadrës Prishtina dhe kjo është një mënyrë që ne e kemi zgjedhur për t'i bërë trysni edhe FIFA-s edhe UEFA-s që Kosova sa më shpejt të jetë në familjen e FIFA-s dhe UEFA-s".
Ndërkaq kryetrajneri i skuadrës së Prishtinës, Afrim Tovërlani, në prag të sfidës së radhës ndërkombëtare, është shprehur se: "Pak a shumë kjo ndeshje është aranzhuar me shpejtësi dhe ka qenë një kohë e shkurtër për t'u përgatitur, por megjithatë me nismën e kryetarit kemi pranuar ta zhvillojmë këtë ndeshje edhe pse nuk e kemi arritur formën më të mirë të dëshiruar, sidomos nga pikëpamja fizike dhe kemi pasur vetëm një ndeshje miqësore, por ne do të mundohemi që në mënyrë sa më të mirë ta prezantojmë futbollin e Kosovës në ballafaqim me VfL Osnabruckun, e cila është një skuadër mjaft e mirë, dhe sipas njohurive të mia, kjo skuadër e ka përfunduar kampionatin e kaluar në pozitën e 12. Kuptohet që nuk kemi ambicie që gjithsesi ta mposhtim skuadrën gjermane, por do të angazhohemi që të lëmë përshtypje sa më të mirë sikur edhe në tri ndeshjet e tjera ndërkombëtare që i kemi zhvilluar më parë", ka thënë Tovërlani.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›