Hidi: “Nuk e lejoj Klod Duron të më shënojë gol”

Isli Hidi në superformë, ndërkohë që Blerim Rrustemi vazhdon të bëjë paraqitje të mira. Alki Larnaka vazhdon serinë e miqësoreve në Ceki, ku dhe fitoi miqësoren me Admira Praha me rezultatin 3-1, skuadër e katëgorisë së dytë ceke.
Trajneri Kasianos i besoi sërish portierit të Kombëtares shqiptare, dhe nga minuta e parë u aktivizua edhe Rrustemi.
Qipriotët i shënuan të tre golat brenda dhjetë minutash (21', 28', 31'). "Nuk pata shumë punë, - tha Hidi për "Albania-sport.com në linjë telefonike nga Cekia, - por bëra katër-pesë pritje të mira. Luajta për 77 minuta, pasi dhe trajneri dëshironte të provonte portierin e dytë". Cekët shënuan golin e vetëm të tyre në fund të takimit.
"Edhe Rrustemi luajti mirë, - shton Hidi, - madje trajneri e vendosi jo në qendër, por në krahun e djathtë". Pas edhe dy miqësoreve të tjera në fazën përgatitore në Ceki, Hidi do të luajë edhe ndeshjet e para testuese kundër Omonias së Klodian Duros (të martën e ardhshme) e më pas do të jetë përballë "rivalit" të tij në Kombëtare, Arjan Beqaj, pasi do Alki do të zhvillojë ndeshje testuese me Anorthosis të enjten e ardhshme. "Natyrisht, i pres me emocion, por jam i bindur se nuk do ta lë Klodin të më shënojë. Ia di të gjitha të fshehtat, pasi kemi qenë bashkë te Tirana", - përfundon Hidi për "Albania-sport".