E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haxhia lë Chelsean

Portier me prejardhje nga Kosova, Aldi Haxhia në fund të këtij sezoni do të largohet nga skuadra e Chelseas. Pas tetë vitesh të kaluara në stadiumin ‘Stamford Bridge, 18-vjeçari ka vendosur t’i thotë lamtumirë klubit londinez.

Haxhia që nga viti 2002 është pjesë e Akademisë së klubit të miliarderit rus, Roman Abramovich. Ai me ekipin The Blues ka kontratë deri në qershor të këtij viti, derisa dëshiron ta gjejë një skuadër ku mund të depërtojë më letë në ekipin e parë.

“Me Chelsean, kontrata më mbaron dhe nuk do ta vazhdoj. Në këtë verë do të ik nga skuadra e Chelseas, por tani për tani ende nuk e di se ku do të jetë destinacioni im i ardhshëm”, ka thënë Haxhia për Express.

Derisa Haxhia nuk ka vendosur se në cilin klub do ta vazhdojë karrierën, një gjë thuajse është e sigurt. 18-vjeçari i lindur në Mitrovicë synon të largohet nga futbolli anglez në drejtim të ndonjë lige tjetër evropiane.

“Dëshira ime është që të shkoj në një shtet tjetër në Evropë dhe të filloj diçka të re. Tani për tani asgjë nuk ka konkrete rreth ofertave, por po presim”, theksoi Haxhia, i cili para se të transferohej në klubin e Chelseas ishte pjesë e një skuadra amatore angleze.

Talenti shqiptar, tregon se inspirohet nga njëri ndër portierët më të mirë në botë, Iker Cassilas (Real Madrid) dhe nga portieri i kampionit të shumëfishtë francez, Lyon, Hugo Lloris.

“Unë inspirohem dhe preferoj shumë portierin Iker Cassilas dhe Hugo Lloris. Për mendimin tim, të dy këta portierë janë më të mirët”, theksoi portieri i skuadrës U 18 të Chelseas.

Haxhia ka lindur më 22 dhjetor të vitit 1991 në qytetin e Mitrovicës. Ai në vitin 2001, bashkë me familjen e tij ka emigruar në Angli, ku edhe vazhdon të jetojë. Pas migrimit në Britaninë e Madhe, Haxhia filloi karrierën te një skuadër amatore për t’u transferuar një vit më vonë te Chelsea.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›