E Diel, 1 Nëntor 2026

Siri, krijohet Këshilli Kombëtar i Tranzicionit. Turqia: Assad mund të ketë fatin e Gadaf

29-08-2011 / Gazeta 55

Opozita siriane ka njoftuar nga Ankaraja e Turqisë, themelimin e Këshillit Kombëtar të Tranzicionit, i cili përbëhet nga 94 anëtarë. Presidenti i Këshillit Nacional të Tranzicionit sirian është zgjedhur Burhan Ghaliun, intelektual i njohur, i cili jeton prej dhjetëra vitesh në Francë. Ghaliun është docent i sociologjisë politike në Universitetin e Sorbonës në Paris. Këshilli do të ketë edhe tre nënkryetarë: Faruq Tayfur, Wajdi Mustafa e Riad Seif. Ajo që tashmë njihet si “pranvera arabe” ka zgjuar prej disa muajsh qytetarët sirianë, të cilët kundërshtojnë regjimin shtypës të presidentit Bashar al Assad dhe kërkojnë largimin e tij. Ndërkohë aktivistët njoftuan se forcat siriane të sigurisë janë vendosur përreth qytetit Rastan, i cili ka qenë vend i protestave të forta kundër regjimit të presidentit Bashar al-Asad. Të njëjtat burime flasin për të shtëna me armë zjarri dhe për largim masiv të banorëve. Turqia, një nga aleatët më të afërt të Sirisë, ka paralajmëruar presidentin e këtij vendi se mund të përballet me fatin e homologëve në Tunizi, Egjipt dhe Libisë. Udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara kanë kërkuar nga Asadi të largohet. Mbi 2,200 civilë besohet të jenë vrarë që nga shpërthimi i protestave anti-qeveritare.


Libi, Gjermania kërkon ngritjen e akuzave për Krime Lufte kundër Muammar Gadaf


Kancelarja gjermane Angela Merkel u shpreh sot në shtyp se ish-lideri libian Muamar Kadafi duhet të gjykohet nga Gjykata Penale Ndërkombëtare, CPI, në Hagë.
"Po. Kadafi duhet të ketë një proces konform të drejtës ndërkombëtare ashtu siç ai nuk e ka bërë asnjëherë për opozitarët e tij", u shpreh kancelarja.
Angela Merkel, vendi i të cilës refuzoi të merrte pjesë në një ndërhyrje ushtarake në Libi, nuk e përjashtoi pjesëmarrjen e ushtarëve të Bundeswehr në një mision të mundshëm stabilizimi të OKB-së.
"Nëse na kërkohet ne gjermanëve, ne sigurisht që po e shqyrtojmë se çfarë mund të bëjmë", theksoi ajo në një intervistë që do të publikohet nesër dhe pjesë të së cilës u publikuan sot.
"Megjithatë, qeveria e re libiane duhet të vendosë për çfarë lloj ndihme ka nevojë dhe mendoj se para së gjithash kjo është detyrë e Kombeve të Bashkuara, Lidhjes Arabe dhe Bashkimit Afrikan", shtoi ajo.
Megjithatë, shefja e qeverisë gjermane shprehu besimin se libianët "mund të vënë në zbatim struktura demokratike".
"Edhe ne në Gjermani kemi bllokuar miliarda euro pasuri të regjimit Kadafi. Këto para janë në dispozicion të popullsisë dhe ato mund të përdoren fare mirë për rindërtimin", theksoi ajo.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›