E Diel, 1 Nëntor 2026

Haxhinasto- Dinosha: Realizim të projekteve infrastrukturore Shqipëri-Mal i Zi

Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto priti sot në një takim Ambasadorin e Malit të Zi në Shqipëri, zotin Ferhat Dinosha.
 

Marrëdhëniet dypalëshe, zhvillimet në rajon dhe proceset integruese ishin temat kryesore të takimit.
Ministri Haxhinasto, vlerësoi se niveli shumë i mirë i marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe fqinjësinë së mirë mes të dy vendeve, i shërben njëkohësisht frymës progresive dhe stabilitetit në rajon, dhe në mënyrë të veçantë interesave të përbashkëta të integrimit evropian dhe euroatlantik.
 

Zoti Haxhinasto rikonfirmoi mbështetjen e plotë të Shqipërisë ndaj anëtarësimit të Malit të Zi në NATO. Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan bashkëpunimin e ngushtë mes të dy vendeve në fushën e integrimit evropian.
 

Gjatë takimit, palët theksuan nevojën e rritjes së bashkëpunimit ekonomik, duke shprehur vullnetin për mbatjen e Sesionit të Parë të Komisionit të Përbashkët Ndërqevritar për Bashkëpunim Ekonomik, Tregtar dhe Industrial.
 

Bashkëbiseduesit evidentuan nevojën e realizimit sa më të shpejtë të projekteve të përbashkëta në infrastrukturë, sidomos projektin për rrugën që lidh Plavën e Gucinë me Podgoricën, nëpërmjet territorit të Shqipërisë.
 

Gjithashtu në takim u shqyrtua mundësia e përdorimit nga shqiptarët në Mal të Zi të një abetare të përbashkët, si dhe u konsiderua përshpejtimi i përfundimit të marrëveshjeve në proces.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›