Meta pret Sanninon, diskutime për reformat dhe integrimin
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta priti sot në selinë e LSI, Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin të Komisionit Evropian, Stefano Sannino. Gjatë takimit Sannino shoqërohej nga Kreu i Delegacionit të BE-së në Tiranë Ambasadori Ettore Sequi, ndërsa z. Meta shoqërohej nga Sekretari Ndërkombëtar i LSI-së Ralf Gjoni.
Gjatë takimit Meta dhe Sannino diskutuan mbi ecurinë dhe avancimin e reformave në kuadër të integrimit evropian të Shqipërisë si dhe mbi procesin e zgjedhjes se Presidentit të Republikës. Vëmendje e veçantë iu kushtua edhe marrjes së statusit të vendit kandidat të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Pa përfundimit të takimit kryetari i LSI-së, Ilir Meta dha një deklaratë për mediat, e cila vijon si më poshtë:
Duke ju falënderuar për interesimin dua të theksoj se ky takim ishte në kuadër të gjithë angazhimeve të Lëvizjes Socialiste për Integrim si një forcë parlamentare dhe si një forcë që ka si synim kryesor të përshpejtojë reformat që integrojnë vendin në Bashkimin Europian, aq më tepër në këto momente kur është shumë e rëndësishme të ecim më shpejt për të përfituar statusin e vendit kandidat, brenda këtij viti. Ne kemi shkëmbyer mendime shumë konstruktive dhe njëkohësisht kemi theksuar rëndësinë e dyfishimit të përpjekjeve për t`i përmbyllur të gjitha reformat, sidomos tre çështjet më kyçe si reformën zgjedhore, atë parlamentare dhe çështjen e imuniteteve, sa më shpejt.
A mund të na thoni z. Meta se cili ishte mendimi i z. Sannino për ecurinë e procesit të zgjedhjes së Presidentit?
Unë mendoj se prononcimi i z. Fule, Komisionerit për Zgjerimin, gjatë vizitës së tij në Tiranë, ka qenë shumë i qartë dhe mendoj që është vepruar përgjithësisht në atë frymë, pra për të pasur një proces sa më të hapur, një proces përmes dialogut, përmes diskutimeve dhe përmes negociatave, gjithnjë duke u bazuar në Kushtetutë.
Z. Meta sa mendoni se do të avancohet në këto negociata për raundin e tretë apo edhe në vazhdim duke pasur parasysh që mazhoranca tashmë e ka një kandidat?
Unë besoj se kandidaturat që mazhoranca ka propozuar i plotëson të gjitha kriteret për të qenë një kandidaturë konsensuale për të gjitha arsyet që i kemi theksuar edhe më parë. Pra, nuk është një figurë politike që mund të krijonte ndarje. Së dyti është një figurë që në të kaluarën, për pozitën në të cilën ai ndodhet, është votuar nga të dyja krahët në Parlament përveç edhe cilësive të tjera që kanë të bëjnë me begraundin e tij profesional dhe karrierën. Natyrisht që është e rëndësishme të ecet në këtë drejtim ashtu sikurse opozitës i është krijuar mundësia, hapësira për të bërë dhe ajo propozimet e saj, në mënyrë që edhe mazhoranca të ketë mundësinë të bëjë gjykime të tjera. Natyrisht që mazhoranca kur ka përzgjedhur këtë kandidaturë e ka përzgjedhur midis shumë kandidaturave të tjera dhe ka qenë e bindur për të gjitha këto cilësi të cilat ofrojnë një konsensus.
Do të jetë kandidat i mazhorancës edhe në raundin e katërt z. Zaganjori?
Unë e theksova që qëllimi ka qenë dhe mbetet konsensusi politik por në çdo rast edhe konsensusi publik, pra edhe raporti me qytetarin, raporti me opinionin publik. Unë mendoj se z. Zaganjori edhe nëse nuk arrin të parën, jo për përgjegjësinë e tij, të dytën e arrin, pra emri i tij ka gjetur një konsensus të përgjithshëm.
Kemi dëgjuar dje z. Nano i cili ka thënë se emri i tij ka mbetur pingpong mes jush dhe z. Rama. Cila është e vërteta e kandidaturës së z. Nano dhe a mund ta konsideroni ju atë si kandidat nëse vjen si kandidaturë nga Partia Socialiste?
Unë jam i pasionuar pas pingpongut dhe z. Nano, që ta dini ju, gjithashtu luan shumë mirë pingpong. Lidhur me kandidaturën e tij unë kam bërë vlerësimet e mia publike pas takimit që kam bërë me të bashkë me z. Luan Rama ku kemi dëgjuar me shumë vëmendje. Natyrisht që ai ka kontribuar në të gjithë këtë proces, për ta bërë atë sa më publik, edhe të debatueshëm. Kjo është pozitive. Por unë kam theksuar gjithmonë se LSI do t`i qëndrojë marrëveshjeve. Sikurse e dini, LSI ka një marrëveshje që në shtator të vitit 2009 edhe për çështjen e Presidentit, për të realizuar në radhë të parë një konsensus me Partinë Demokratike. Kështu që, në këtë drejtim, LSI-ja i qëndron kësaj marrëveshjeje pavarësisht nga vlerësimet e saj për kandidatura të tjera.
Sa e dëmshme do të jetë për proceset integruese të Shqipërisë nëse Parlamenti do të votojë për një President jo konsensual pasi siç ju përmendët edhe komisioneri Fule ka folur për një kandidaturë gjithëpërfshirëse dhe konsensuale?
Vështirë të gjesh një kandidat tjetër të cilin në karrierën e tij ta kenë votuar në Parlament të dyja palët. Kështu që, me pak përpjekje, nuk ka asnjë arsye për të mos arritur konsensusin.