Haxhinasto, Asadov: Shqipëria e hapur ndaj strukturave të gazifikimit

Zv.Kryeministri dhe Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës,Edmond Haxhinasto, takoi sot Kryetarin e Parlamentit të Azerbajxhanit, Ogtay Asadov, dhe delegacionin parlamentar që e shoqëron atë gjatë vizitës disa ditore në vendin tonë.
"Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Azejrbaxhanit po zhvillohen në një klimë të përshtatshme bashkëpunimi dhe kjo vizitë do t`i shërbejë krijimit të partneriteteve të reja në sektorin ekonomik mes dy vendeve," tha Ministri Haxhinasto gjatë takimit.
Projekti i gazsjellësit TAP ishte një ndër pikat kryesore që u trajtua në këtë takim. Qeveria Shqiptare në mënyrë të vazhdueshme ka mbështetur projektin e gazsjellësit TAP, i cili është konsideruar si një projekt shumë i rëndësishëm për Rajonin e Evropës Jug-Lindore (pjesë e Korridorit Jugor Energjetik të Evropës), që do të diversifikojë burimet e furnizimit me gaz të Shqipërisë.
Shqipëria mbetet e hapur që në kuadër të ndërtimit të infrastrukturave të rëndësishme të gazifikimit në vend të mirëpresë investitorët nga Azejrbaxhani që kanë një ekspertizë të madhe në këtë drejtim. "Tregu i gazit në vendin tonë ka potenciale të mëdha dhe kompanitë azere janë të mirëpritura në Shqipëri", tha Ministri, i cili theksoi nevojën për të eksploruar më tej mundësitë e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Në takim u evidentuan edhe një sërë sektorësh potencial për bashkëpunim në të ardhmen, si energjia e rinovueshme apo turizmi.
Në fund të takimit, Ministri Haxhinasto u shpreh se vizita e kryeparlamentarit të Azejrbaxhanit do të shtrojë rrugën edhe për një bashkëpunim më intensiv ekonomik mes dy vendeve.