E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raport pozitiv per Shqiperine nga Keshilli Boteror i Turizmit

Shqipëria vlerësohet pozitivisht përsa i përket sektorit turistik në nivel global. Në një raport për vitin 2012 Këshilli Botëror i Turizmit dhe Udhëtimeve ka parashikuar shifra optimiste përsa i përket kontributit direkt dhe në total të sektorit në rritjen e PBB, në punësim, në rritjen e numrit të turistëve dhe në investimet në po këtë sektor.
Duke bërë një krahasim me vitin 2011 këshilli Botëror i Turizmit ka vlerësuar se kontributi direkt i turizmit në Prodhimin e Brendshëm Bruto rezultonte në 81.4 miliardë lekë (6.2% e PBB-së), ndërsa sipas parashikimeve për vitin 2012, kjo shifër pritet të rritet me 5.6% për të arritur në rreth 86 miliardë lekë. Këto shifra reflektojnë aktivitetin ekonomik të gjeneruar nga kjo industri, si hotelet, agjencitë e udhëtimit, kompanitë ajrore, shërbimet e tjera të transportit të pasagjerëve, restorantet apo edhe të argëtimit, që mbështesin turizmin.
Ndërsa kontributi në total i turizmit shqiptar ndaj PBB-së për vitin 2011 arriti në rreth 288 miliardë lekë , dhe parashikohet që për vitin 2012 të rritet me 5.1% për të arritur në rreth 302 miliardë lekë apa 22% e PBB-së.

Përsa i përket punësimit në turizën KBT thekson se gjatë këtij viti ky sector do të gjenerojë 53,500 të punësuar nga 51, 500 vende pune të vitit të kaluar.
ndërsa kontributi në total i turizmit në punësim, ku përfshihen faktorë të tërthortë si investimet apo shërbimet, parashikohet të rritet me 3.7% në vitin 2012, duke e çuar numrin e vendeve të punës në 190,000.

Një tjetër element kyç, mbi të cilin WTT ka bërë kërkime dhe ka analizuar treguesit është eksporti i vizitorëve, që për vitin 2012 parashikohet të arrijnë në 2.75 milionë vizitorë, me rritje rreth 5% krahasuar me vitin e kaluar.

Sa i përket tërheqjes së investimeve kapitale nga kontributi i industrisë së turizmit dhe udhëtimeve për vitin 2011 vlera në total u llogarit në 21 miliardë lekë, ndërsa parashikohet që kjo shifër të rritet me 7.5% për 2012-n.
Sipas WTT janë pikërisht shpenzimet e turistëve të huaj ato që japin kontributin më të madh, direkt në turizëm, duke përbërë rreth 82% të “tortës” totale të shpenzimeve. Ky segment pritet të rritet me 5% për vitin 2012, ndërsa shpenzimet e brendshme turistike me 9.4%.
Në këtë studim mbi turizmin mbi 183 vende në rang global, Shqipëria bie në sy për një rritje të të gjithë treguesve për këtë viti krahasuar me një vit më parë. Kështu sa i përket parashikimit të rritjes së investimeve për vitin 2012, pozicionohemi në vendin e 48, në po këtë kategori dhe të dytët në rajon për ndikimin direkt të kontributit të turizmit në GDP, në vendin e 49 përsa i takon rritjes së punësimit në këtë sektor dhe në vendin e 51 për rritjen e numrit të turistëve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›