Haxhinasto: Axhendë për projekte ndërkufitare me Malin e Zi

Në kuadër të vizitës së tij dy ditore në Mal të Zi, zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto ka zhvilluar takime me Presidentin e Malit të Zi, zotin Filip Vujanoviç, me Kryetarin e Parlamentit, zotin Ranko Krivokapiç dhe homologun e tij malazez, zotin Milan Roçen. Gjatë këtyre takimeve u ra dakord për njohjen e lejeve reciproke të qarkullimit të makinave, si dhe u nëshkrua një marrëveshje në fushën e arsimit. Të dy ministrat e jashtëm shprehën të njëjtin vlerësim për projektin e gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP), duke ofruar mbështetje të plotë për implementimin e tij.
Gjatë qëndrimit në Mal të Zi, zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto ka zhvilluar një vizitë edhe në trevat shqiptare, në komunën e Tuzit dhe Ulqinit, ku është takuar dhe me deputetë shqiptarë. Duke vlerësuar rolin e shqiptarëve, si bazë e sigurt për marrëdhënie të shkëlqyera mes dy vendeve, ai është shprehur se do të ketë një axhendë për projekte konkrete të përbashkëta ndërkufitare me Malin e Zi.