E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi kthehet nga SHBA pa u takuar me Obamën

Thaçi-Klinton (foto AFP)

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, me gjasë do ta përfundojë vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pa e takuar numrin një të këtij shteti, Barak Obama.

Para nisjes drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Qeveria e Kosovës kishte njoftuar se Thaçi ka udhëtuar drejt SHBA-ve me ftesë të Shtëpisë së Bardhë, ku do të ketë takime me zyrtarët më të lartë shtetërorë amerikanë.

Sido që të jetë, pritjet e zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, të cilët në kushte anonimiteti kanë proklamuar një takim ThaçiObama, nuk kanë dalë të sakta.

Por, delegacioni i Kosovës të enjten në Washington ka takuar Zëvendëspresidentin amerikan Joseph Biden, i cili kishte rezervuar një pritje për Thaçin në Shtëpinë e Bardhë edhe gjatë vitit 2010.
Sipas një kumtese, në takim është rikonfirmuar mbështetja e fuqishme dhe e gjithanshme e SHBA-ve për Republikën e Kosovës.

Në këtë kuadër, zëvendëspresidenti Biden ka vlerësuar lart lidershipin e kryeministrit Thaçi në procesin e shtetndërtimit dhe integrimit të Kosovës në institucionet euroatlantike, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Zëvendëspresidenti Joseph Biden e përgëzoi Kryeministrin Thaçi për lidershipin e tij në marrjen e vendimeve të guximshme dhe të duhura në interes të Kosovës. Z. Biden e siguroi Kryeministrin Hashim Thaçi se SHBA-të do të vazhdojnë të mbesin thellësisht të angazhuara në Kosovë dhe do kërkojnë zbatimin e marrëveshjeve të arritura, theksohet në njoftim. /Express/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›