Haxhinasto: Hedhja e një ideje të tillë nuk sjell asgjë
Propozimi për “hetim ndërkombëtar” të zgjedhjeve të 28 qershorit nuk përbën një opsion të ri për shumicën në pushtet. Prononcimi i kreut të socialistëve europianë Poul Nyrup Rasmussen lidhur me krizën politike shqiptare dhe ideja e një komisioni të ri ka ruajtur vetëm një vlerë mediatike. Numri dy i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Edmond Haxhinasto, u shpreh dje për “Shqip” se në takimin e Bosnjës është trajtuar ideja e një asistence nga ekspertë ndërkombëtarë nëse kjo do të jetë e nevojshme dhe jo për përfaqësues në komision. Por, në çdo rast, sipas tij, sugjerime të kësaj natyre nuk sjellin asgjë të re përtej propozimeve të shumicës brenda së cilës aderon edhe LSI-ja. “Ne si LSI kemi kërkuar trajtimin e kërkesës së PS-së nga Komisioni i Venecias, që është një institucion i përbërë nga ekspertë ndërkombëtarë. Nga ana tjetër, edhe zgjedhjet e 28 qershorit u asistuan dhe u certifikuan nga ekspertë ndërkombëtarë, kështu që hedhja e një ideje të tillë nuk sjell asgjë”, theksoi Haxhinasto. Një qëndrim i njëjtë vjen edhe nga selia blu, burime pranë së cilës kanë nënvizuar se përtej rrugës kushtetuese nuk mund të flitet për transparencë. Oferta për marrjen e shumicës në komisionin hetimor dhe adresimi i problemit në prokurori janë dy mundësi, jashtë së cilave shumica e djathtë nuk mund të shkojë. Deklarimet e mësipërme, edhe pse jo qëndrime zyrtare, vijnë në formën e një rikonfirmimi për pozicionet e palëve në një debat që ende nuk po gjen rrugën e zgjidhjes. Një arsye më shumë që duket se po i jep shkas refuzimit të shumicës, përveç aspektit ligjor, është edhe kufizimi i veprimit të opozitës në raport me bojkotin e Parlamentit, duke e çliruar atë nga pesha e një krize që del jashtë kufijve të pranueshëm. “Në të gjitha takimet tona, përfaqësuesit e PSE-së kanë nënvizuar nevojën e hyrjes së PS-së në Parlament dhe heqjen dorë nga bojkoti”, deklaroi Haxhinasto, duke iu referuar takimit të PSE-së në Bosnjë. Normalizimi i jetës parlamentare është pra një zhvillim, që në çdo rast minimizon efektin e nismave të PS-së, çka në kuptim të situatës së brendshme manifestohet si dobësi e opozitës. Ky mesazh mund të lexohet mirë në pozicionin e shumicës, e cila nuk po jep shenja të cedimit përpara kërkesave të opozitës.
#