E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata lehtëson pozitën e vrasësit të tre vëllezërve

Korçë Pranohet kërkesa për gjykim të shkurtuar të Besim Karajt, çka përjashton dënimin kapital

Besim Karaj, autor i vrasjes së tre vëllezërve Mulliri në fshatin Vidohovë të Devollit, i ka shpëtuar burgimit të përjetshëm. Gjykata e Korçës ka vendosur të pranojë kërkesën e tij për gjykim të shkurtuar në kushtet kur i pandehuri e ka pranuar krimin dhe është vetëdorëzuar. Nën masa të rrepta sigurie, Besim Karaj doli dje përpara togave të zeza për zhvillimin e seancës gjyqësore të radhës. Ai u rrethua nga forca të shumta policore për të siguruar mbrojtjen nga ndonjë hakmarrje e mundshme e familjarëve të viktimave të tij. Për faktin se seancat në ngarkim të të pandehurit të akuzuar për vrasje me dashje në rrethana cilësuese kanë dështuar, duke sjellë edhe revoltën e familjarëve të vëllezërve Mulliri, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Gjergji Koço, ka vendosur që seancat të zhvillohen me dyer të mbyllura. Ka qenë pikërisht kërkesa për gjykim të shkurtuar që një seancë më parë revoltoi familjarët që krijuan probleme në sallë, duke çuar në pezullimin e seancës, edhe pse disa herë u desh që forcat policore të ndërhynin për të mbajtur rregullin. Burime nga gjykata bënë të ditur se Besim Karaj kërkoi sërish dje gjykim të shkurtuar, kërkesë e cila u pranua nga trupi gjykues edhe me pëlqimin e prokurorit të çështjes. Pasi është njohur me të dhënat e dosjes hetimore, Karaj ka pranuar krimin dhe nuk ka paraqitur asnjë pretendim, por vetëm një gjykim të drejtë të tij sipas ligjit. Vendimi për gjykim të shkurtuar është dhënë ndërsa të afërmit e viktimave janë nxjerrë jashtë sallës. Megjithatë, të afërmit kanë pasur pretendime, për faktin se sipas tyre autori duhet të dënohet përjetë për krimin e rëndë. Dy muaj më parë Besim Karaj vrau në mes të fshatit Vidohovë tre djemtë e familjes Mulliri, për shkak të lidhjes jashtëmartesore që kishte krijuar gruaja e tij me njërin prej vëllezërve, 23-vjeçarin Taulant Mulliri.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›