E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haxhinasto: Ja objektivat e LSI gjatë qeverisjes së ardhshme

Objektivat kryesore të Lëvizjes Socialiste për Integrim, për koalicionin e ardhshëm të qeverisë, do të jenë dalja nga kriza ekonomike, reformat e integrimit evropian, lëvizja e lirë e shqiptarëve në BE, reforma zgjedhore dhe pavarësia e gjyqësorit. Kryetari i KDK-së, të LSI Edmond Haxhinasto deklaroi se ishin këto objektivat kryesore, që konkludoi Konventa e kësaj force politike. Po ashtu, Konventa vlerësoi vendimin e LSI për pjesëmarrje në koalicionin qeverisës, si alternativën e vetme për të garantuar stabilitet politik në vend dhe për të vazhduar proceset integruese. Konventa e Jashtëzakonshme Kombëtare e LSI, miratoi një Rezolutë për pjesëmarrjen e LSI në bashkëqeverisje me Partinë Demokratike, si fituese e zgjedhjeve te 28 Qershorit 2009, si dhe mandatoi kryetarin e LSI-së, zotin Ilir Meta të negociojë me kryetarin e Partisë Demokratike për krijimin e koalicionit qeverisës, nënvizoi Haxhinasto. Ndër të tjera ai vlerësoi faktin se Konventa ishte një shembull i qartë i funksionimit të demokracisë së brendshme në Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe pasqyrë e hapësirave për shprehjen e mendimit ndryshe dhe për respektimin e tij. Ndërkaq, LSI e ka cilësuar si një akt të ulët, mesazhin kërcënues që është dërguar në adresë të nënkryetarit Pëllumb Xhufi, ku atij i kërkohej të mos fliste kundër marrëveshjes së partisë së Ilir Metës me PD-në. Kryetar i Komitetit Drejtues Kombëtar, Edmond Haxhinasto foli edhe për ndërprerjen e sinjalit gjatë kohës në konvetën kombëtare të LSI-së, kur po fliste Pëllumb Xhufi. Mendoj se janë akte të ulëta, që nuk reflektojnë në asnjë moment frymën që ekziston brenda LSI-së, për trajtimin e mendimit ndryshe dhe alternativave të tjera të anëtarëve të nderuar të LSI-së, anëtarë të thjeshtë qofshin ata, jo më për zëvendëskryetarin e partisë. Ne s'mund të jemi përgjegjës për ndërprerjen e sinjalit televiziv, nuk është diçka që varet nga LSI, sqaroi Haxhinasto. Në mbajtjen e Konventës Kombëtare të Jashtëzakonshme për pjesëmarrjen në bashkëqeverisje me Partinë Demokratike, si fituese e zgjedhjeve të 28 Qershorit 2009, të vetmit zëra kundër këtij koalicioni qeverisës, kanë qenë Pëllumb Xhufi dhe Fatos Klosi. Xhufi është shprehur kundër kësaj marrëveshje duke e cilësuar atë të përshpejtuar. LSI duhet të sigurojë stabilitet dhe koherencë në kalimin e ligjeve që i shërbejnë integrimit të vendit dhe jo të bashkëqeverisje në nivel ministrash me Berishën, u shpreh Xhufi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›