E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haxhinasto-Jeichi: Do rrisim bashkëpunimin me Kinën

"Bashkëpunimi mes Kinës dhe Shqipërisë do të rritet në fusha të rëndësishme". Kështu është shprehur zv/kryeminisitri dhe ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto në konferencën e përbashkët për shtyp të zhvilluar me minisitrin e Jashtëm të Kinës, Yang Jeichi.
 

Ndër të tjera në fjalën e tij, Haxhinasto theksoi se mes Shqipërisë dhe Kinës ka klimë të shkëlqyer marrëdhëniesh. “Kemi identifikuar fusha kryesore të bashkëpunimit, si; energjia, infrastruktura, burimet natyrore, turizmi dhe mekanizmat si të realizojmë atë që duhet të realizojmë që në këto fusha të kemi bashkëpunim të shkëlqyer dhe shumë efikas”, u shpreh Haxhinasto.
 

Duke u ndalur në takimin e zhvilluar më herët me homologun e tij kinez, Haxhinasto theksoi se në këtë takim është biseduar për çështje të rëndësishme, reformën e Këshillit të Sigurimit, për rajonin dhe për Kosovën. “Kemi rënë dakort që ky bashkëpunim që ekziston mes dy vendeve, të forcohet më shumë në të ardhmen në nivele më të larta mes qeverive dhe shteteve tona”, vijoi ministri i jashtëm shqiptar.
 

Nga ana e tij, ministri i Jashtëm kinez, Jang Jiechi shprehu mirënjohjen për mikëpritjen, duke deklaruar forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. “Theksoj se populli kinez ushqen ndjenja miqësore ndaj popullit shqiptar. Kemi këmbyer mendime për forcimin e bashkëpunimit të arenës ndërkombëtare. Kemi arritur konsensus të rëndësishëm dhe mendoj se këto janë shumë pozitive”, u shpreh Jiechi. Po ashtu ai informoi edhe për ftesën që i ka bërë ministrit të Jashtëm shqiptar për të vizituar Kinën.

Ministri i Jashtëm kinez ka shprehur mbështetjen e vendit të tij, për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›