KQZ: Të pavlefshme zgjedhjet në Shalë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka shpallur të pavlefshme zgjedhjete e pjesshme lokale në Komunën e Shalës në Shkodër. Tre ditë, pasi u bllokua procesi i votimit për zgjedhjet në këtë komunë, KQZ-ja i shpalli të pavlefshme zgjedhjet në 6 qendra votimi, në këtë njësi vendore.
Ndërkaq, edhe ky vendim ka ngjallur debat mes përfaqësuesve të partive politike në komision, pasi sipas opozitës ishte mungesa e marrjes së masave nga KQZ-ja për adminsitrimin e këtij procesi, që çoi në mosmbajtjen e zgjedhjeve, çështje për të cilën kryeatri i KQZ-së, Arben Ristani tha se ishin komisionerët e majtë, që kishin shumicën atje dhe që e bllokuan procesin.
Të dielën e 31 korrikut, u mbajtën zgjedhjet e pjesshme lokale në 9 komuna, ndërsa në Komunën e Shalës nuk u bë i mundur ky proces, për shkak të bllokimit në momentet e fundit. Gjithsesi, ende nuk dihet se kur do të mbahen zgjedhjet për këtë njësi, për të finalizuar në këtë mënyrë, rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve lokale në vend.