E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtetuta kusht për votimin e ligjeve të rëndësishme

03/08/2011  PS zhvendos debatin nga zgjedhjet te reforma në dokumentin themeltar të shtetit

Rikthimi i votimit të cilësuar për presidentin pika më e nxehtë e diskutimeve

Nisja e sesionit të ri parlamentar dhe përfundimi i pushimeve duket se do të rihapin një debat të ri politik, por këtë herë nuk ka të bëjë me zgjedhjet apo reformën zgjedhore, por me ndryshimet në Kushtetutë. Debati në lidhje me këtë çështje ka filluar, madje Partia Socialiste ka ngritur grupet e punës për të riformuluar dokumentin themeltar të shtetit. Burime në PS thanë dje se ky do të jetë dhe kali i betejës politike të Ramës, i cili pritet që me ndryshimet politike të kushtëzojë votimin në Kuvend të ligjeve që kërkojnë një shumicë të cilësuar votash. Çështja e Presidentit dhe balancimi i pushteteve që sipas opozitës janë uzurpuar tashmë nga ana e Berishës, pritet që të jenë justifikimet që do të kenë në thelb qëndrimin zyrtar të opozitës përpara ndërkombëtarëve.

Presidenti

Të njëjtat burime shprehen se opozita do të bëjë ç’është e mundur që në vitin 2012 të imponojë zgjedhjen e një presidenti konsensual, si në vitin 2003, me rastin e Presidentit Moisiu. Burimet thanë se nga ana e saj Partia Socialiste dhe aleatët s’mund të pranojnë që të hyjnë në zgjedhjet e vitit 2013 pa pasur një garanci, siç është KQZ dhe një sistem gjyqësor të pavarur, me qëllim që sipas saj të mos përsëriten më fenomene si në zgjedhjet e vitit 2009, apo rasti i Tiranës në zgjedhjet lokale të këtij viti dhe garant i kësaj mund të jetë vetëm një president i pavarur.

Maxhoranca

Por nga ana e saj maxhoranca e ka shprehur qëndrimin e saj me anë të kryeministrit Berisha, që tha se Kushtetuta s’mund të ndryshohet sa herë Rama humbet në zgjedhje. Partia Demokratike nuk kërkon që të përsëritet dhe një herë ngërçi i vitit 2007, kur vetëm dy vjet pasi kishte ardhur në pushtet rrezikohej nga zgjedhja e presidentit. U desh vota e gjashtë ish-deputetëve socialistë që maxhoranca e atëhershme të arrinte numrin për të zgjedhur presidentin. Ndërkohë burime nga maxhoranca shprehen se dy eksperiencat e hidhura, qoftë me Presidentin Moisiu, qoftë me Presidentin Topi, të dy këta emra të propozuar nga Berisha, kanë bërë që të jenë më të matur në një emër përzgjedhës për karrigen presidenciale të vitit 2012.

Qëndrimi i PS-së

Qëndrimin e Partisë Socialiste për kushtëzimin e votimit të ligjeve të rëndësishme që kanë të bëjnë dhe me integrimin e vendit e shprehu dje dhe deputeti socialist Pandeli Majko. Sipas Majkos, vullneti i shprehur nga PS-ja për ndryshimin e Kushtetutës është shenja me pozitive e kursit të ri të opozitës, duke paralajmëruar se deputetët socialistë nuk do t’i votojnë të gjitha ligjet me shumice të cilësuar në bllok sipas kërkesave të maxhorancës, pasi ky është një proces ku opozita ka interesat e veta.

Edi Rama paralajmëroi një ndryshim të kursit të të bërit opozitë pas vendimit të Kolegjit, i cili i dha mandatin e Bashkisë së Tiranës Lulzim Bashës. Por duket se sërish nga ana e opozitës do të ketë të tjera pretendime dhe kërkesa, të cilat, nëse nuk realizohen, bëhet i pamundur votimi i saj.

Ndryshimet e vitit 2008

Ndryshimet në Kushtetutë u bënë në vitin 2008, ndër të cilat dy ishin çështjet kryesore: sistemi elektoral i propozuar nga PS-ja, i cili nga mazhoritar dhe proporcional u kthye në proporcional rajonal; dhe zgjedhja e presidentit. Sistemin e zgjedhjeve e propozoi PS-ja, ndërkohë që PD-ja e pranoi, por me kushtin që të pranohej pika që flitet për presidentin e Republikës, i cili, sipas ndryshimeve që u bënë, pas dy raundeve të para zgjidhet jo më me 84 vota, por me shumicë të thjeshtë prej 71 votash. E dalë e humbur në zgjedhje, PS-së nuk i mbetet gjë tjetër vetëm se të luftojë për të rikthyer dhe një herë votimin me 84 vota për presidentin, e cila i jep asaj një kartë më shumë për të imponuar kërkesat e saj ndaj maxhorancës, por pse jo dhe për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohshme.

Ligjet e integrimit

Ligjet që kërkojnë një shumicë të cilësuar votash janë më së shumti ato që kanë të bëjnë me reformën në gjyqësor. Kujtojmë këtu se për shkak të mungesës së votave nga ana e opozitës dështoi dhe ngritja e Gjykatës Administrative. Por jo vetëm kaq, në shumicë ligjet që kërkojnë dhe votat e opozitës janë pjesë e kushteve që Bashkimi Evropian i ka vënë Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat. Kjo bëri që Shqipërisë, megjithëse ka aplikuar më parë se Serbia apo Maqedonia, t’i refuzohet dhënia e statusit, duke mbetur e fundit në rajon. Ndërkohë mbetet dhe një shans tjetër në dhjetor të këtij dhe, në rast se ndryshon vërtet kursi i PS-së dhe plotësohen kushtet, atëherë Shqipëria s’ka asnjë pengesë në këtë fazë të rëndësishme të procesit të anëtarësimit.

PS kërkon ndryshimin e Kushtetutës, paralajmëron mazhorancën

Ndryshimet në Kushtetutë po kthehen në pikën më të nxehtë të debatit politik. Nga pozicionet respektive përfaqësuesit socialistë dhe ata demokratë japin qëndrimet paraprake përkundrejt një çështje të tillë. Kështu, nëse socialistët kërkojnë ndërhyrje të reja në ligjin themeltar të shtetit, demokratët kundërpërgjigjen me refuzim të një kërkesë të tillë. Por përballë një qëndrimi i tillë, edhe pse ende i paformalizuar, përfaqësuesit opozitarë duket se e kanë gjetur zgjidhjen. Konkretisht, nëse mazhoranca qeverisëse nuk do të pranojë të ndërhyjë sërish në Kushtetutë për ndryshimin e atyre neneve që do të kërkojë Partia Socialiste, atëherë kjo e fundit do t’i drejtohet sovranit për zhvillimin e një referendumi popullor. Ishte deputeti i PS-së Pandeli Majko që vlerësoi se ndryshimet në Kushtetutë kërkojnë një debat të gjerë dhe bisedime mes dy palëve. Njëkohësisht ai propozoi që “aty ku nuk gjendet gjuha e përbashkët, mund të përdoret referendumi, si një mekanizëm jo i debatit politik, por si një proces ku qytetarit i jepet e drejta për të vendosur për çështje të rëndësishme”. Sipas tij, një pikë ku maxhoranca dhe opozita mund të bien dakord për ndryshimet kushtetuese është kufizimi i imunitetit. Megjithatë, në vlerësimin e ligjvënësit socialistë kjo çështje nuk mund të zgjidhet me konferenca shtypi, por me uljen në tryezë të ekspertëve të dy partive. “Edhe faktori ndërkombëtar, por dhe Partia Demokratike, në një mënyrë edhe PS-ja, e kanë vlerësuar çështjen e imunitetit të deputetëve si një çështje që kërkon ndryshime të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Nuk mendoj se ndryshimet e Kushtetutës duhen bërë me letra bakalli, ashtu siç ndodhi herën e fundit. Kjo është një histori që nuk ka nevojë të diskutohet me konferenca shtypi. Ka njerëz të mençur qoftë në të djathtë, qoftë në të majtë, të cilët, po të ulen, mendoj se krahas çështjes së imunitetit mund të nxjerrin disa konkluzione të tjera, që do të jenë të nevojshme”, - vuri në dukje Majko lidhur me një çështje të tillë. Ndërkohë, duke dhënë sinjale të qarta për hapat që pritet të ndërmarrë kjo forcë parlamentare, Majko nuk përjashtoi ndjekjen e rrugës referendare, nëse palët nuk bien dakord. “Aty ku do të ketë, le të themi dallime, ne kemi edhe historinë e një referendumi, që pa u politizuar mund t’i ofrojë publikut një pjesëmarrje për të diskutuar një ligj që është ligji themelor i shtetit shqiptar. Vërtet diskutohet dhe votohet nga politikanët, por nuk është pronë e tyre”, - nënvizoi Majko. Në këtë mënyrë, kampi rozë shfaqet i vendosur për t’i shkuar deri në fund realizimit të ndryshimeve në Kushtetutë, duke u paraprirë votimeve për poste të rëndësishme, siç është dhe votimi i kreut të ri të shtetit. Por pavarësisht këtyre deklaratave të lëshuara nga përfaqësuesit e dy kampeve politike, vetëm fillimi i sesionit të ri parlamentar mund të japë një panoramë të qartë të këtyre zhvillimeve.

Ish-kryeministri Majko komenton situatën në Veri të Kosovës

“Pavarësia çështje e mbyllur, s’mund të rishikohet më”

Ish-kryeministri socialist Pandeli Majko shprehet i shqetësuar për situatën e krijuar në Veri të Kosovës. Gjatë një analize të shkurtër mbi këto zhvillim, ish-kreu i qeverisë, post ky i mbajtur në kohën e luftës së Kosovës, i mëshoi faktit se duhet parë me shqetësim politika që po ndjek Serbia në rajon duke tentuar ta konsiderojë Kosovën një konflikt të pambyllur. “Me Bosnjën ata kanë ndjekur një politikë duke e përcaktuar atë si një shtet të paplotësuar, ndërsa me Kosovën duan ta kristalizojnë si një konflikt të pambaruar. Në thelb, e gjithë kjo duket sikur kemi një përsëritje të paktit të Brest Litovskit”, - u shpreh Majko gjatë fjalës së tij. Duke vijuar po në këtë linjë, deputeti Majko sqaroi se “në fakt, marrëveshja për shtetin e Kosovës, ajo për ndarjen e Ballkanit, marrëveshja për një histori të mbyllur të asaj që quhet e kufizave të brendshme të BE-së të nesërm që do të shtrihet edhe në Ballkan, nuk është një pakt i Brest Litovskit, por është një histori e mbyllur, që nuk mund të rishikohet me”. Gjithashtu deputeti i PS-së vlerësoi vendimmarrjet e drejtuesve të shtetit kosovar lidhur me situatën e rënduar në Veri të shtetit më të ri të Ballkanit. Për këtë arsye ish-kryeministri socialist vlerësoi se “vendimi i qeverisë së Thaçit për të kontrolluar kufijtë e Kosovës dhe vendosja e trupave të NATO-s në Veri është hapi më i rëndësishëm pas shpalljes së pavarësisë”. Nga ana e saj PS-ja përmes një deklarate për shtyp pati dënuar aktet e dhunës në këtë zonë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›