Kanabisi, policia patrullim me helikopter për parcelat me drogë
GJIROKASTER - Parcelat me drogë në Lazarat kontrollohen nga ajri. Një helikopter i Policisë së Shtetit, ka qarkulluar përgjatë gjithë mesditës së djeshme në qiellin e Qarkut të Gjirokastrës, duke parë se në ç'nivel janë të mbjellat e sivjetshme me hashash, krahasuar me periudhën e vitit të kaluar. Fillimisht helikopteri, ka fluturuar në zonën e Kurveleshit në Tepelenë ku ka parë nga ajri situatën. Më pas në juglindje, në Përmet ku dhe aty është ndërmarrë një inkursion vëzhgimi dhe në fund, në Gjirokastër ku vëzhgimi u përqëndrua në Lazarat. Gati për 60 minuta helikopteri ka zhurmuar në Gjirokastër kryesisht në anën jugperëndimore duke kryer vëzhgime nga ajri. Pjesë e këtij inkursioni kanë qenë edhe fotografimet, të cilat duket se janë hapi fillestar i identifikimit të zonave me hashash të mbjella në Lazarat. Sipas drejtorit të Policisë së Gjirokastrës Arben Hyseni, në krahasim me vitin e kaluar në Lazarat sivjet janë mbjellë gati 60% më pak lëndë narkotike dhe kjo sipas tij ka ardhur falë masave parandaluese të ndërmarra nga forcat policore që në origjinë. Ndërmarrja e inkursionit vëzhgues nga ajri dhe fotografimet e kryera dje nga helikopteri i Policisë së Shtetit, mendohet të jenë gjetja e pikave identifikuese për të ndërhyrë në terren forcat policore për të shfarosur parcelat me bimë narkotike. Deri më dje gjatë pesë operacioneve të ndërmarra nga Policia e Gjirokastrës në territorin e jugut, është bërë asgjësimi i mbi 5,500 rrënjëve kanabis ndërkohë që në fshatin Lazarat, uniformat blu nuk kanë ndërmarrë ende ndonjë operacion të tillë për shfarosjen e bimëve narkotike. Sasia më e madhe e bimëve narkotike të shkatërruara ndonjëherë në Qarkun e Gjirokastrës është shënuar gjatë verës së vitit 2006. Plot 27 mijë rrënjë kanabis sativa dhe tre operacione të terrenit në Lazarat, shënuan hapin e parë të ndërhyrjes së Policisë së Shtetit me seriozitet në këtë zonë, e cila ishte e pashkelur në kohën kur socialistët drejtonin qeverinë në 1997-2005. p.n