E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, maskat grabisin në rrugë 29 vjeçarin

 

VLORE - Rishfaqen maskat në Vlorë. Policia bëri të ditur se dy persona të maskuar dhe të armatosur kanë ndaluar nën kërcënimin e armës një 29-vjeçar, i cili po udhëtonte me mjetin e tij në aksin Selenicë-Vlorë. Në vendin e quajtur bregu i Llamanit, E. Sheraj ndodhej në mjetin e tij me targa BD 645 CP kur dy persona të maskuar dhe të armatosur i kanë dalë para duke i drejtuar armën  e zjarrit dhe duke i bërë shenjë të ndalonte. Nën kërcënimin e armës i riu është detyruar të ndalonte makinën dhe t'iu urdhërohej maskave. Ai ka dalë nga makina, ndërsa grabitësit i kërkuan t'u jepte të gjitha paratë që kishte me vete dhe celularin. I riu nxori portofolin në të cilin kishte 10 mijë lekë dhe telefonin e ua dha personave. Këta të fundit nuk e lejuan atë të vijonte rrugën për në Vlorë, por duhej të kthehej mbrapsht. Mësohet se 29-vjeçari sinjalizoi policinë sapo mbërriti në Selenicë. Në momentin që ai kishte kthyer mbrapsht mjetin, njëri prej personave e kishte qëlluar me armë, por fatmirësisht ai nuk kishte pësuar plagë, ndërsa shenja e plumbit kishte mbetur tek dera e makinës. Policia mbërriti në vendin e ngjarjes dhe nisi hetimet. Gjithashtu, shoqëroi pesë persona të dyshuar, por pasi u morën në pyetje ata u lanë në lirë. Ky është rasti i parë i ndodhur këtë vit ku maskat dalin e grabisin në rrugë.              q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›