E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haxhinasto, Lidington: Kemi kërkuar rishikimin e regjimit të vizave me Britaninë e Madhe

10-06-2011 / Gazeta 55

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, priti dje në një takim ministrin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe NATO-n të Mbretërisë së Bashkuar, David Lidington. Gjatë bisedimeve, ministri Haxhinasto kërkoi që të rishikohet regjimi i vizave për qytetarët shqiptarë, nga ana e Mbretërisë së Bashkuar, duke sjellë në vëmendje ecurinë e shkëlqyer të procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë në zonën “Schengen”. Lidhur me këtë, ministri u shpreh se pala britanike është duke e shqyrtuar çështjen pozitivisht.
Ministri Haxhinasto i shprehu mirënjohjen ministrit Lidington për mbështetjen që ka dhënë Mbretëria e Bashkuar për integrimin evropian të Shqipërisë dhe theksoi se qeveria shqiptare mbetet tërësisht e angazhuar për të realizuar të gjitha reformat e nevojshme në funksion të këtij procesi. Nga ana e tij, Lidington deklaroi se Mbretëria e Bashkuar mbështet fuqishëm zgjerimin e BE-së me Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Lidington vlerësoi rolin e Shqipërisë në drejtim të forcimit të sigurisë dhe paqes jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë, me angazhimet e saj konkrete në  Afganistan e Libi, duke demonstruar një partneritet të shkëlqyer si anëtar i NATO-s.
Gjithashtu, u vlerësua edhe vendimi i fundit i Shqipërisë, për t’u angazhuar në misionin ndërkombëtar të ndihmës në Tunizi. Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin qëndrim për nxitjen e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, për mbështetjen e dialogut Kosovë-Serbi për çështje teknike, në interes të qytetarëve të të dyja vendeve, për mbështetjen për njohje të reja të shtetit të Kosovës, si edhe për integrimin rajonal dhe evropian të saj.
Të dy ministrat kundërshtuan idetë e hedhura së fundmi, lidhur me ndarje të mundshme të Kosovës dhe shkëmbim territoresh. Ministri Haxhinasto theksoi se perspektiva e vetme e rajonit është integrimi evropian.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›