E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri Imami: Shqipëria, mbështetje të plotë NATO-s në misionet ushtarake edhe në Libi

10-06-2011 / Gazeta 55

Ministeriali i Mbrojtjes së vendeve anëtare të NATO-s: Miratohen reformat me synim përmbushjen e sfidave të ardhshme

Ministri i Mbrojtjes Arben Imami, mori pjesë në Ministerialin e Mbrojtjes që u zhvillua në Bruksel nga data 8 deri më datë 9 qershor 2011.
Gjatë bisedimeve, ministrat e Mbrojtjes të 28 vendeve të NATO-s, morën disa vendime të rëndësishme mes të cilave edhe qëndrimin e trupave të NATO-s për 3 muaj të tjerë në Libi. Në axhendën e takimit dy ditor që u mbajt në selinë e NATO-s, Bruksel,  ndër të tjera ishte parashikuar një mandat i dytë për të mbrojtur civilët dhe zonat civile nga rreziku i sulmeve terroriste në Libi, si dhe krijimi i një zone të ndalim-fluturimit dhe embargove të armëve.
Gjithashtu, pjesë e axhendës ishte edhe çështja e Rusisë, si dhe ecuria e mëtejshme e misionit paqeruajtës në Afganistan. Ata theksuan angazhimin e tyre të vazhdueshëm për funksionimin, duke përfshirë edhe duke siguruar kapacitetet e nevojshme për të vazhduar dhe për të përfunduar këtë operacion.
Në fjalën e tij, ministri i Mbrojtjes Arben Imami, ri-konfirmoi edhe një herë mbështetjen që vendi ynë i jep misionit të NATO-s në Libi e më gjerë, duke ofruar të gjitha kapacitetet që ajo disponon, në favor të paqes dhe lirisë kudo ku është e nevojshme.
“Ka pasur disa tema themelore që u trajtuan në këto dy ditë, një nga çështjet kryesore është ajo e operacioneve në Libi dhe në Afganistan. Operacioni në Libi mori një mandat të dytë i cili u shty edhe për 90 ditë. Ajo që është e rëndësishme është se konsensualisht u ra dakord për vijimësinë e operacioneve apo për më tepër për një fazë post-Gedaffi, do të jetë OKB-ja e cila ka rrolin kryesor, së dyti do të duhet të luaj një rrol të rëndësishëm dhe parësor organizatat rajonale, si: Unioni Afrikan, Lidhja Arabe Konferenca Islamike, dhe sigurisht në këtë kontekst NATO është e vendosur për të mos patur trupa në terren. Por, kjo nuk do të thotë që të gjithë, sikurse edhe BE-ja, po ashtu NATO do të duhet të japin të gjithë kontributin e mundshëm të duhur që populli libian të vendosë për fatin e tij dhe të kryej një tranzicion demokratik me mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar”, deklaroi ministri Imami.
 “Ministeriali i Mbrojtjes i cili u mbajt në Bruksel u përqendrua në tre seanca kryesore. Së pari, operacioni në Libi, ku NATO mbetet e angazhuar, sigurisht edhe Shqipëria e mbështet këtë angazhim të NATO-s në Libi, duke ofruar edhe kapacitetet portuale apo aeroportuale që ajo ka. Së dyti, pati një diskutim të gjerë lidhur me atë që quhet ‘Impostim i Mbrojtjes’, që përfshin problemet nukleare, problemet e mbrojtjes raketore dhe gjithashtu edhe të mbrojtjes kibernetike. Këtu janë duke marrë formë disa politika themelore, sigurisht që edhe këto ne i mbështetëm. E rëndësishme është që pati konsensus të plotë nga të gjithë vendet mike të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Puna në këtë drejtim do të vazhdojë, ku edhe Shqipëria do të jetë pjesë e pandarë e këtyre planizimeve, sigurisht edhe Implementimit të ardhshëm të Mbrojtjes, qoftë raketore qoftë asaj kibernetike. Në seancën e tretë që sapo mbaroi, këshilli NATO-Rusi diskutoi mbi bashkëpunimin. Sigurisht që ka arritje pozitive, ka mbështetje logjistike për operacionet në Afganistan, ka luftë të përbashkët kundër terrorizimit, kundër piraterisë. Ky është takimi i parë që bëhet pas tre vjetësh midis NATO-s dhe Rusisë dhe ky padyshim është një hap pozitiv, por sigurisht ka edhe diferenca sidomos lidhur me sistemin e mbrojtjes raketore. Rusët kërkojnë që të jetë një sistem i vetëm, në aleancë ka një mendim tjetër (ndryshe nga ai i Rusisë) dhe sigurisht ne e mbështetëm, folëm për dy sisteme të ndara, por që bashkëpunohet, që kooperojnë, që ndërtohen mbi baza të transparencës dhe të besimit reciprok kundër çdo lloj rreziku në këtë fushë”, nënvizoi ministri Imami.
Sa i përket Afganistanit, ministri i Mbrojtjes tha se “Afganistani që nga marsi ka hyrë në një fazë të re tranzicioni, ku po shkojmë drejt Afganizimit dhe qeveria Afgane, në veçanti policia dhe Forcat e Sigurisë Afgane do të duhet të marrin përgjegjësi për sigurinë dhe stabilitetin e vendit”. Kjo kërkon rritjen e kapaciteteve dhe rritja e kapaciteteve kërkon në radhë të parë trajnim, mentorim, nga Forcat e Armatosura të vendeve të NATO-s. Në këtë kuadër neve (FA Shqiptare) jemi thellësisht të angazhuar, kemi ndryshuar objektivat tona dhe gjatë kësaj kohe së pari kemi dërguar (çka është e njohur për mbarë opinionin shqiptarë) një kompani të Forcave Speciale, do të vazhdojmë të shtojmë efektivat tanë atje dhe në muajin korrik do të shkojnë 20 ushtarakë në një OMLT, pra në një kompani e cila bën trajnim dhe mentorim për ushtrinë afgane, do të shkojnë edhe 5 policë të cilët do të bëjnë të njëjtën gjë me policët afganë. Po riformulojmë detyrën, kapacitetet dhe personelin e një grupi prej 20 njerëzish që do të shkojnë në një togë mjekësore me qëllim që të shërbejnë, po njëkohësisht të japin edhe eksperiencë dhe të trajnojnë ushtrinë afgane në çështjet mjekësore. Përgjithësisht, vlerësohet se Afganistani ka një zhvillim të qëndrueshëm, megjithëse të dobët, por që me siguri do të shkoj drejt një ambicie që në 2014 të jetë kryer kalimi i plotë i përgjegjësive në duart e afganëve. Përveç kësaj u diskutuan disa tema themelore të ristrukturimit të NATO-s, siç është ajo e komandove, diskutim i cili gjeti konsensus të plotë, pavarësisht se u krye një proces i gjatë dhe i vështirë i cili përfundoi me sukses. Ndihmoi sigurisht mirëkuptimi i vendeve anëtare dhe arritëm që të reduktohet ndjeshëm numri i personelit të këtyre komandave. Gjithashtu u diskutua për mbrojtjen balistike, u diskutua edhe për mbrojtjen bërthamore dhe në të gjitha këto diskutime ka patur konsensus të plotë, të qartë. Shqipëria do të jetë përfituese e sistemit të mbrojtjes balistike. Këtu dua të informoj mbarë opinionin publik shqiptarë, lidhur me nevojën për bashkëpunim dhe partneritet me Rusinë, por sigurisht edhe nga disa pozicione të qarta që bëjnë interesat e vendeve anëtare, po kështu që respektojnë deri në fund artikullin 5 të mbrojtjes kolektive”.   
Në konferencën për shtyp që Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, bëri përballë mediave, nënvizoi rëndësinë që ka sot NATO në botë, duke theksuar se qëllimi kryesor i tij është të mbroj jetët e pafajshme.
Sipas tij, “NATO ka bërë progres të qartë. Ne kemi parandaluar një masakër, ne kemi ruajtur jetë të pafajshme dhe kemi përgatitur terrenin për një politikë zgjidhje. Mbi të gjitha, vendet e NATO-s, do të japin një Aleancë e cila është e aftë për të ardhmen – duke na mbrojtur kundër kërcënimeve të sotme, dhe të nesërme”, nënvizoi kreu i NATO-s, Rasmussen. Ai gjithashtu theksoi se NATO nuk parashikon një rol kryesor për Aleancën në një konflikt post-Libi.
Vendet aleate do të angazhohen për të dhënë kontributet e tyre në mbështetje të OUP-së. Pas drejtimit të dhënë nga Koncepti Strategjik, ministrat e Mbrojtjes kanë rishikuar e më pas miratuar, Politikat e NATO-s për mbrojtjen kibernetike. Politika parashtron një vizion të qartë në përpjekjet e NATO-s në mbrojtje kibernetike të Aleancës. Politika e rishikuar do të ofrojë një qasje të koordinuar për mbrojtje kibernetike. Të pranishmit ranë dakord që të gjitha strukturat e NATO-s, të jenë nën mbrojtjen e centralizuar, duke gjetur njëkohësisht kërkesa të reja që do të aplikohen në të ardhmen.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›