E Diel, 1 Nëntor 2026

Haxhinasto: Nëse përshpejtojmë reformat marrim statusin

BRUKSEL- Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto pas disa takimeve me zyrtarë të lartë europianë në Bruksel u shpreh se mundësitë për integrimin e Shqipërisë në BE këtë vit janë të mëdha nëse përshpejtohet procesi i reformave.

Pas takimit me Komisionerin për Zgjerim Stefan Fyle, ministri Haxhinasto në një prononcim për mediat, theksoi “Mendoj se mesazhi kryesor i komisionerit Fyle është që mundësitë janë aty dhe mundësia e marrjes së statusit të vendit kandidat në vjeshtë të këtij viti, është më reale se kurrë. Për këtë kemi nevojë që, së pari, të fokusohemi te prioritetet, te ato prioritete që janë identifikuar tashmë si kyçe për të avancuar reformën zgjedhore, reformën e procedurave parlamentare, si dhe miratimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar”,- deklaroi Haxhinasto.

Ministri Haxhinasto gjatë vizitës së tij në Bruksel u takua me Komisionerin për Zgjerimin Stefan Fyle, me Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Stefano Sanino, me z.Hanes Svoboda, (Drejtues i Grupit Socialdemokrat në Parlamentin Evropian) dhe z. Eduart Kukan (Kryetar i Delegacionit për Evropën Juglindore në Parlamentin Evropian). Në këto takime, diskutimet u fokusuan në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›