E Diel, 1 Nëntor 2026

E enjtja rutinë. Parkim i gabuar, deputetët bllokojnë qarkullimin

02/03/2012  Ligjvënësit vazhdojnë të shkelin ligjin. Krijojnë vështirësi në qakullimin e mjeteve

TIRANË- Edhe dje, ashtu si çdo të enjte, deputetët i lanë makinat e tyre luksoze sipër trotuareve apo buzë rrugës, duke shkaktuar vështirësi në qarkullimin rrugor. Makinat e deputetëve, ashtu siç ndodh përherë ishin të parkuara gabim, apo ishin lëna mbi trotuar, duke shkaktuar trazira të përjavshme, sa herë që ka seanca plenare. Deri më tani, asnjë deputet nuk është gjobitur me 3 mijë lekët e gjobës dhe 1 mijë të karrotrecit apo i është bllokuar makina. Nuk dihet ende përse Policia Rrugore nuk ndërhyn për këto raste. Ngurrimi i tyre, aq sa mbetet mister, aq edhe vetëkuptohet nga gjithkush. Kjo situatë vazhdon prej vitesh, ndërsa asnjë reagim nuk vjen edhe pas publikimit të dhjetëra artikujve në media, rreth këtij fenomeni. I njëjti fenomen ndodh edhe përballë zyrave të Komisioneve të ligjeve te bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, por aty nuk ka edhe aq lëvizje sa te “Rruga e Elbasanit”, pra te Parlamenti, ku kryqëzohen disa rrugë dhe ngarkesa e mjeteve motorike është më e madhe. Për pasojë trafiku rëndohet më tepër. Askush nuk mban përgjegjësi për këtë papërgjegjshmëri dhe shkelje të ligjit nga vetë ligjvënësit.

Kodi Rrugor

Në bazë të Kodit Rrugor për parkimin e gabuar, ligji parashikon gjobë nga 500 deri në 3 mijë lekë të reja, apo heqje me karrotrec dhe bllokim të mjetit. Për të gjitha këto raste tashmë ka nisur prej kohësh një fushatë për zbatimin e procedurave ligjore në përputhje me Kodin Rrugor, pasi një nga faktorët që sjell bllokimin e trafikut në Tiranë është pikërisht parkimi i mjeteve dyshe, qëndrimi dhe pushimi i gabuar në vende ku nuk është e lejuar.

Vijojnë fushatat sensibiluese, vihen mijëra gjoba

Policia pranon problemin, por nuk përmend fjalën deputet

Më datën 20 shkurt të këtij viti, policia e Tiranës njoftoi mbi masat e marra brenda 1 jave të Patrullave të Përgjithshme dhe Qarkullimi Rrugor në drejtim të ndëshkimit të kundërvajtësve që shkelin e rregullat e vendosura në Kodin Rrugor. Krahas sensibilizimeve të kryera nga policia e kryeqytetit, janë zhvilluar takime edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, mbi respektimin e rregullave në fushën e qarkullimit rrugor dhe në mënyrë të veçantë të dispozitave të ndryshuara në dhjetor të vitit 2011 në Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë. Burimet zyrtare të policisë thanë se, “Edhe pse në rrugët për përdorim publik konstatohet ndjeshëm një përmirësim i rrjedhshmërisë së trafikut rrugor, kjo falë respektimit të rregullave në këtë fushë nga përdoruesit e rrugës (drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët), por dhe nga shërbimet e patrullës së përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore, përsëri ka shkelje të dukshshme të kundërvajtjeve administrative, kryesisht në Tiranë”. Policia e kryeqytetit, krahas sensibilizimit po vazhdon masat edhe për ndëshkimin e kundërvajtësve që shkelin rregullat e vendosura në Kodit Rrugor. “Vetëm javën e fundit nga Shërbimet e Policisë Rrugore, janë vendosur 3187 masa administrative (gjobë), shumica prej të cilave janë vendosur për tejkalim të normave të shpejtësisë, parakalime të gabuara, parkime të gabuara, mosvendosje të rripit të sigurimit etj. Nga këto shërbime janë bllokuar gjithësej 227 automjete, prej të cilave 41 mjete për mungesë dokumentacioni, 6 mjete për mos pagim të gjobave brenda afatit dhe 180 mjete janë spostuar me karrotrec për parkime të gabuara. Ndërkohë, nga Komisioni i Shqyrtimit të Kundërvajtjeve janë marrë 92 vendime ku spikasin 24 vendime për pezullim të lejes së drejtimit, 11 vendime për kalim afati të certifikatës së kontrollit teknik, 17 vendime për përdorim të xhamave të errësuar, 31 vendime për shkelje të tjera të legjislacionit rrugor dhe 9 vendime për automjete të ndaluara administrativisht. Me synim normalizimin e qarkullimit rrugor, Patrulla e Përgjithshme e Policisë së kryeqytetit vazhdon ndëshkimin e kundërvajtësve ku gjatë kësaj jave janë evidentuar në total 3670 masa administrative gjobë, kryesisht për parkime të gabuara. Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, krahas sensibilizimit për respektimin e rregullave në fushën e qarkullimit rrugor do të vazhdojë ndëshkimin e përdoruesve të rrugës, të cilët kryejnë shkelje administrative në këtë fushë”,-thuhet në njoftimin e policisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›