E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presioni, dorëhiqet Rakipi: Komiteti, gjuhë dhunuesish

TIRANË- Akuzat e forta të bëra nga Komiteti Ekzekutiv i kryesuar nga presidenti Armand Duka, për shkak të një vendimi pro klubeve të Flamurtarit dhe Pogradeci, kanë çuar në dorëheqjen e kryetarit të Komisionit të Apelit Arben Rakipi. Në një letër për mediat, Ish-Kryeprokurori i Republikës ka akuzuar drejtuesit e Federatës si njerëz të mësuar me dhunën në stadiume, me gjykimet e manipuluara dhe me një edukatë të ulët qytetare.

 “Unë nuk jam mësuar të përdor gjuhë dhe zakone të tilla, prandaj distancohem prej nivelit të dhunuesve dhe manipuluesve, që forcërisht bëjnë ligjin në fushat e futbollit, - shkruan Arben Rakipi në letrën e tij. - Pas njohjes me deklaratën tuaj, përtej çudisë që vjen prej nxitimit të publikimit të saj ende pa lexuar përmbajtjen e vendimeve tona, përtej pavërtetësisë, edukatës së ulët dhe mosmirënjohjes shembullore që e karakterizon atë, shoh përmbajtjen e saj në raport me vendimet tona dhe, konstatoj që mospërputhja e qëllimeve të ushtrimit të detyrave përkatëse janë evidente. Nuk do të shkel më në atë derë”, e përfundon deklaratën ish-kryeprokurori.

Dorëheqja e tij vjen vetëm dy ditë pas një komunikate skandaloze të Komitetit Ekzekutiv, që akuzonte anëtarët e Komisionit, praktikisht gjykatësit e futbollit, deri për rryshfet. Një gjë e tillë nuk kishte ndodhur asnjëherë, pasi komisionet, të paktën formalisht konsiderohen të pavarura. Akuzat erdhën pasi Apeli vendosi pro Pogradecit dhe Flamurtarit, dy klube të konsideruar armiq nga presidenti i Federatës Armand Duka.

Burime nga FSHF bëjnë të ditur se edhe nëse nuk do të ishte dorëhequr, Arben Rakipi do të shkarkohej në mbledhjen e radhës të Komitetit Ekzekutiv. Për informacion, Federata Shqiptare e Futbollit është e vetmja, ku anëtarët e komisioneve juridike zgjidhen nga Komiteti Ekzekutiv dhe jo nga Asambleja. Duka e quan këtë konform rregullave të UEFA-s, por kjo e fundit nuk është federatë anëtare, por një institucion mbi palët.
(el.me/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›