Haxhinasto:Qeveria shqiptare e angazhuar për zgjedhje të lira
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, priti në MPJ kreun e Misionit të Vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it, Jonathan McNaught Stonestreet, i cili, në krye të një grupi ekspertësh, me ftesë të qeverisë shqiptare, kanë mbërritur në Shqipëri në 27 mars 2011, për ti paraprirë misionit afatgjatë dhe afatshkurtër, të monitorimit të procesit zgjedhor të 8 Majit 2011.
Gjatë takimit, ministri Haxhinasto theksoi se qeveria shqiptare është e angazhuar që të riafirmojë përvojën pozitive në realizimin e një procesi zgjedhor të lirë, të ndershëm, transparent, kompetiv dhe në përputhje me standardet e kërkuara ndërkombëtare, ashtu siç janë çertifikuar nga raportet e OSBE/ODIHR.
Më tej, ministri vuri theksin në rëndësinë e kontributit të gjithë aktorëve politikë në krijimin e klimës së duhur të bashkëpunimit, që do të garantojë zhvillimin e suksesshëm të procesit zgjedhor.
Nga ana e tij, z. Stonestreet vlerësoi qëndrimin e qeverisë shqiptare për ftesën për pjesëmarrje të një misioni të gjerë vëzhguesish, në funksion të rritjes së transparencës së procesit zgjedhor.