Haxhinasto: Opozita të bashkëpunojë për integrimin

Zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministri i jashtëm Edmond Haxhinasto i ka kërkuar sërish opozitës të bashkëpunojë për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.
Në një konferencë për shtyp pas takimit me kreun e delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë Ettore Sequi, kreu i diplomacisë shqiptare kërkoi një përkushtim të të gjitha forcave politike për procesin e integrimit.
“Përkushtimi të jetë politik i të gjithë faktorëve dhe veçanarisht i opozitës, pasi integrimi i vendit është për të gjithë faktorët politik dhe jo vetëm i mazhoranës” theksoi Haxhinasto.
Ai gjithashtu theksoi se pritet një angazhim politik i opozitës edhe për reformën zgjedhore duke ripërsëritur se mazhoranca mbetet e hapur për dialog duke respektuar institucionet dhe ligjet e vendit.
“Vetëm duke respektuar ligjet jemi më pranë Bashkimit Europian” shtoi më tej Haxhinasto.
Ndërkohë i pyetur për demonstratën e opozitës, Haxhinasto e cilësoi atë si normale në një vend demokratik por theksoi se është i papranueshëm përdorimi i dhunës.